Lidhje

Kriza ekonomike vë në provë aftësitë drejtuese të presidentit Obama


Presidenti amerikan Barak Obama po mbush dy muaj në detyrë dhe kriza ekonomike po vë në provë aftësitë e tij drejtuese. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Xhim Maloun sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni.

Java që kaloi ishte e vështirë për presidentin, pasi ai duhej të rikthente besimin e publikut në një ekonomi, e ardhmja e së cilës duket e pasigurt.

Zoti Obama u desh të përballej me një çështje politike si pagesa e shpërblimeve të kompanisë së sigurimeve, American International Group, AIG, kompani e cila po merr fonde nga qeveria amerikane.

"Ky burrë thotë se është e papranueshme. Jam shumë i zemëruar me paaftësinë e qeverisë”.

"Kjo grua thotë se çfarë po ndodh është çmenduri”.


Çështja e shpërblimeve që iu paguan drejtuesve të një banke që po nxirret nga kriza me paratë e taksapaguesve, ka ndezur fuqishëm debatin në Kongres.

Anëtarët e Kongresit nga të dyja partitë politike menjëherë dënuan shpërblimet e dhëna.

E zemëruar nga ky veprim, Dhoma e Përfaqësuesve, votoi me shumicë votash miratimin e një takse 90% për shpërblimet e shefave të kompanisë AIG. Një ligj i ngjashëm pritet të hartohet nga Senati, ndonëse ekspertët ligjorë nuk janë të bindur se ligji është vërtet kushtetues.

Por problemet me këtë kompani, rrezikojnë që Presidenti ta largojë vëmendjen nga rivendosja e besimit të publikut dhe tregjeve financiare. Analisti politik Tom DeFrank nga gazeta New York Daily News foli për Zërin e Amerikës në lidhje me këtë çështje.

"Njerëzit janë vërtet të revoltuar. Ata besojnë se Uoll Striti është pasuruar në kurriz të njerëzve të thjeshtë të cilët po vuajnë shumë këto kohë”.

Zoti Obama tha se ai e kupton zemërimin e publikut mbi situatën e AIG-së, por u bëri thirrje amerikanëve të mos harrojë objektivin kryesor që është përmirësimi i ekonomisë dhe dalja nga recesioni.

Duke folur gjatë një takimi me popullin dhe në një program televiziv gjatë vizitës së tij në Kaliforni, presidenti Obama iu drejtuar direkt publikut.

"Besoj se populli amerikan e kupton se kriza është krijuar prej kohësh. Ndaj do të na duhet kohë të dalim nga kriza”.

Republikanët opozitarë shohin zemërimin e amerikanëve ndaj çështjes së shpërblimeve si një mundësi politike.

Udhëheqësi i tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejnër shtroi pyetjen se kur administrata e presidentit Obama ishte vënë në dijeni mbi shpërblimet dhe pse nuk veproi për t’i parandaluar ato.

Ndërkaq axhenda legjislative e zotit Obama është ngadalësuar disi që prej miratimit të stimulit ekonomik.

Por, studiuesi i universitetit Georgetownn, Stivën Uejn thotë se presidentit i duhet të ushtrojë trysni ndaj Kongresit për çështje jo të lehta si shërbimi shëndetësor, arsimi dhe energjia.

"Presidenti e ka shfrytëzuar krizën si një mekanizëm për të lëvizur gjërat në Kongres me shpejtësi dhe Kogresi nuk e bën kollaj këtë, përveçse në kohë krize”.


Kongresi miratoi me shpejtësi planin stimulues të presidentit. Por shumica e ekspertëve parashikojnë beteja më të gjata dhe më të komplikuara në lidhje me çështje si kujdesi shëndetësor dhe pavarësia në fushën e energjisë. //ek

XS
SM
MD
LG