Lidhje

Bramertz në Beograd për bisedime me zyrtarët serbë


Kryeprokurori i Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Serzh Bramertz ndodhet në Beograd për bisedime me zyrtarë të lartë lidhur me përpjekjet e Serbisë për të arrestuar dy personat më të kërkuar për krime lufte.

Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës do të takohet me Presidentin e Serbisë Boris Tadiç, Ministrin e Brendshëm Ivica Daçiç dhe zyrtarë të tjerë për bisedime mbi përpjekjet për të kapur ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjes Ratko Mlladiç dhe ish udhëheqësin e serbëve të Kroacisë Goran Haxhiç.

Më parë, Rasim Lajiç, zyrtari më i lartë serb përgjegjës për marrëdhëniet me Gjykatën e Hagës e cilësoi ardhjen e prokurorit si një vizitë të rregullt dhe tha se nuk pritet ndonjë zhvillim i rëndësishëm nga bisedimet.

Ratko Mlladiç ka qenë në arrati që në vitin 1995, kur Gjykata ngriti ndaj tij akuza për rolin në sulmet kundër civilëve në Bosnje-Hercegovinë gjatë konfliktit të viteve ’90. Autoritetet besojnë se ai fshihet në Serbi. //bsa//

XS
SM
MD
LG