Lidhje

Riarmatimi i Rusisë vë përballë faktorë politikë dhe ekonomikë


Presidenti rus Dmitri Medvjedev njoftoi javën e kaluar se Rusia do të ndërmerrte një program riarmatimi në shkallë të gjerë, i cili sipas Presidentit do të kushtojë shumë megjithë krizën aktuale ekonomike globale. Raporti në vijim i hedh një vështrim faktorëve politikë dhe ekonomikë që mund ta ndihmojnë apo pengojnë realizimin e propozimit të zotit Medvjedev.

Tanket dhe raketat ruse u panë në Sheshin e Kuq të Moskës majin e kaluar për herë të parë që prej rënies së Bashkimit Sovietik në vitin 1991. Por ministri rus i Mbrojtjes, Anatolij Serdjukov, tha rishtazi se 90% e tekonologjisë ushtarake ruse është e vjetëruar. Kjo përfshin edhe shumë prej mjeteve ushtarake të paradës.

Më 17 mars, presidenti rus Dmitri Medvjedev paraqiti një plan ambicioz riarmatimi për modernizimin e ushtrisë ruse.

"Detyra kryesore do të jetë rritja e gatishmërisë së trupave, kryesisht në cilësi dhe mbi të gjitha nëpërmjet forcave bërthamore strategjike”.

Zoti Medvjedev thotë se siguria ruse kërcënohet nga zgjerimi i NATOs, krizat lokale dhe terrorizmi ndërkombëtar. Ai shtoi se konflikti kundër Gjeorgjisë gushtin e kaluar gjithashtu nxorri në pah mangësitë e forcave konvenciale ruse. Analisti i pavarur ushtarak rus, Viktor Litovkin shpjegon:

“Na mungojnë më tepër sistemet e mbështetjes së forcave të luftimit se sa vetë njësitë luftarake. Dhe sistemi i mbështetjes moderne përbëhet nga avionë të telekomanduar, armë precize, ndërlidhjet, sistemet e përgjimit, navigacioni e të tjera. Në këto fusha jemi prapa botës së qytetërur moderne”.

Presidenti Medvjedev thotë se Rusia do t’i kushtojë burime të konsiderueshme zhvillimit dhe blerjes së armëve të reja megjithë problemet me buxhetin kombëtar, i cili është prekur nga ulja e fitimeve prej eksportit të naftës ruse.

Por, analisti i pavarur ushtarak Pavel Felgenhauer vëren se Rusisë nuk i mungojnë vetëm paratë, por edhe kapaciteti industrial për riarmatim në shkallë të gjerë.

“Ka më shumë mundësi që atyre do t’u duhet të blejnë teknologji të re dhe pjesë këmbimi në vendet perëndimore ashtu sikurse edhe sisteme të tëra armësh. Por kjo do të jetë e pamundur, nëse Moska vazhdon politikën konfrontuese me Perëndimin”.

Ekspertët ushtarakë thonë se programi i riarmatimit ka pjesërisht si synim edhe zbutjen e pakënaqësisë së ushtrisë ndaj planit të Kremlinit, për shkurtime në forcat e armatosura. Kjo do të largonte jo më pak se 200 mijë oficerë nga ushtria.

Analistët thonë se forcat ushtarake dhe mbështetësit e tyre janë një grup politik që Kremlini nuk mund të lërë mënjanë. Por, analisti Pavel Felgenhauer thotë se Rusia nuk ka mundësi as të përballojë riarmatim në shkallë të gjerë, kontradiktë që autoritetet ruse nuk e kanë zgjidhur.

"Në shoqërinë dhe elitën ruse nuk ka konsensus se ç’do të bëhet. Përgjithësisht të gjithë bien dakord se riarmatimi është i nevojshëm por nuk është rënë dakord sesi do të ndodhë kjo, me apo pa ndihmën e vendeve perëndimore”.

Analisti Felgenhauer thotë se vendimet mbi çështje të kësaj natyre në Rusi merren me dyer të mbyllura dhe nuk janë gjithmonë të menduara thellë dhe në tërësi, karakteristikë kjo e regjimeve autoritare.

Presidenti Medvjedev thotë se disa njësi ushtarake janë modernizuar dhe ai pret që riarmatimi në shkallë të gjerë i ushtrisë dhe marinës të fillojë në vitin 2011. //bsa//

XS
SM
MD
LG