Lidhje

Recesioni ekonomik rrit numrin e sekuestrimeve të objekteve luksoze


Rënia ekonomike në Shtetet e Bashkuara po i shkakton pasoja edhe të pasurve. Kompanitë amerikane të sekuestrimeve po kërkohen gjithnjë e më tepër për të sekuestruar jahte dhe avionë privatë nga individë që nuk mund të shlyejnë kreditë për to. Do t’ju njohim në vijim me një kompani të tillë në shtetin Florida, puna e së cilës është katërfishuar vitin e fundit.

Specialisti i sekuestrimeve, Rendi Kraft tregon aftësitë e tij duke ndezur motorin e kësaj anijeje. Kjo punë kërkon durim, por ai ka shumë përvojë. Vetëm gjatë javës së fundit, zoti Kraft ka kryer sekuestrime në 6 shtete amerikane.

"Kur dua të sekuestroj një anije, pres të mos ketë njeri, hipi në barkë, ndez motorin dhe largohem. Njerëzit e marrin vesh se anija është sekuestruar vetëm pasi puna ka mbaruar”.

Zoti Kraft punon për Grupin Ndërkombëtar të Sekuestrimit, IRG, një nga agjencitë më të mëdha amerikane që sekuestron mallra luksi. Ata sekuestrojnë mallra të ndryshme kur pronarët e tyre nuk mund të shlyejnë më kreditë.

Por kjo është edhe një punë me rrezik. Siç thotë zoti Kraft ai është kërcënuar me armë të ftohta, është përplasur nga një makinë apo është ndjekur në ujrat e një lumi nga një pronar anijeje i zemëruar.

"Ekonomia është përkeqësuar dhe po vazhdon kështu. Si pasojë, njerëzit janë të nervozuar dhe duan të shprehin mllefin e tyre”.

Shitjet e anijeve u rritën që prej mesit të viteve 90 deri në vitin 2006. Por shumë pronarë po përballen me vështirësi ekonomike.

Kompania IRG aktualisht mban rreth 25 anije që ka sekuestruar nga pronarë të falimentuar. Pronari i kësaj kompanie, Ken Kejxh thotë se kërkesat për sekuestrim janë rritur dhe ato kanë ardhur kryesisht nga bankat apo institucionet kreditore.

"Kemi pasur shumë punë. Vitin e kaluar kishim një rritje në kërkesë prej 200% krahasuar me vitin paraardhës. Këtë vit, mbase kërkesa është rritur 300 apo 400%”.


Zoti Kejxh ia vë fajin recesionit për situatën e krijuar, pasi sipas tij kjo gjendje po godet njerëz që para katër vjetësh ishin në situatë të mirë ekonomike. Por, është rritur jo vetëm sekuestrimi i anijeve.

Kompania IRG ka sekuestruar edhe këta 30 avionë privatë që tanimë presin fatin e tyre në një aeroport në Florida.

"Nuk është rritur vetëm numri i tyre, por edhe vlera e mallrave të sekuestruara”.

Siç thotë zoti Kejxh, dikur kompania e tij sekuestronte aeroplanë të vegjël dhe anije. Tani, ai sekuestron mallra me vlerë shumë më të lartë si avionë që kushtojnë miliona dollarë dhe jahte me të njëjtën vlerë.

Ai po kështu sekueston helikopterë, kuaj gare si dhe makina të veçanta. Kejxh vlerëson se 70% e kërkesave për sekuestrim lidhen me industrinë në krizë të pronave të patundhshme amerikane. Dhe ai pret që ky numër të mbetet i lartë derisa ekonomia ta kapë veten. //ek

XS
SM
MD
LG