Lidhje

Obama: Në Pakistan nuk do të ketë trupa tokësore amerikane


Presidenti Barak Obama tha se nuk do të dërgojë trupa tokësore në Pakistan si pjesë e strategjisë së re për frenimin e militantëve në kufirin pakistano-afgan.

Duke folur sot me një televizion amerikan, zoti Obama tha se Pakistani është vend sovran dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me Islamabadin në luftën kundër Al Kaedës.

Zoti Obama tha se sipas strategjisë së shpallur dy ditë më parë, forcat amerikane do të kryejnë operacione në kërkim të personave të rëndësishëm me lidhje terrorizmi në Pakistan pasi të konsultohen me qeverinë pakistaneze.

Presidenti tha se do t’i japë Pakistanit mjetet e duhura për të zhdukur bazat e terroristëve pranë kufirit me Afganistanin. Por ai shtoi se Islamabadi duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për mungesën e rezultateve.

Gjykata e Lartë e Afganistanit rekomandon që mandati presidencial të zgjatet deri në gusht

Mediat afgane thonë se Gjykata e Lartë e vendit ka rekomanduar që presidenti Hamid Karzai të vazhdojë të mbajë postin e presidentit derisa të zhvillohen zgjedhjet në muajin gusht.

Vendimi i sotëm do të bëjë të mundur që mandati i zotit Karzai të zgjatet nga afati aktual i 21 majit deri në muajin gusht.

Zoti Karzai tha në fillim të muajit se nuk e kishte vendosur ende nëse do të vinte përsëri kandidaturën. Ai po kështu kishte thënë se do të donte të qëndronte në detyrë derisa të zhvilloheshin zgjedhjet presidenciale dhe kishte pyetur Gjykatën e Lartë nëse diçka e tillë është e ligjshme.

Grupet opozitare afgane kanë thënë se nuk do të pranojnë zgjatjen e mandatit të presidentit Karzai. //ek

XS
SM
MD
LG