Lidhje

Shqipëri: Qeveria ul çmimin e letërnjoftimeve për personat në nevojë


Në Shqipëri qeveria vendosi të zbatojë një ulje të të cmimit të letërnjoftimeve për kategoritë në nevojë në përpjekje për të nxitur pajisjen me këtë dokument kryesisht të atyre të cilët nuk zotërojnë një pasaportë udhëtimi e për pasojë rrezikojnë të mos kenë mundësi për të votuar. Ky vendim vjen pas këmbënguljeve të forta të opozitës e cila megjithatë ka kërkuar dhënien falas të letërnjoftimeve për ata që nuk zotërojnë pasaportën.


Në një kohë kur partia socialiste prej disa javësh po deklaron se procesi zgjedhor sipas saj po rrezikohet nga pamundësia e disa qindra mijëra qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftime, për arsye ekonomike, e kur kishte parlajmëruar se nesër në parlament do të përshkallëzonte kundërshtitë e saj për këtë cështje, qeveria njoftoi sot vendimin për një ulje të fortë të cmimit për disa kategori qytetarësh.

Sipas ministrit të Brendshëm Bujar Nishani synimi është të ndihmohet ajo pjesë e cila nuk zotëron pasaportë e që pa marrjen e letërnjoftimeve të reja nuk mund të votojnë:

"Për të gjithë pensionistët që kanë pensionet minimale në qytet dhe të gjithë pensionistët në fshat , të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri me datën 1 Maj 2009, çmimi i letërnjoftimit do të jetë 300 ( treqind ) lekë. Për të gjithë studentët, për të gjithë ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë, si dhe për të gjithë ata që deri më datë 28 Qershor 2009 mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, të cilët kanë aplikuar deri më tani apo do të aplikojnë deri më datën 1 Maj 2009, çmimi i kartës do të jetë 200 (dyqind) lekë. Për të gjithë personat para dhe tetra-plegjikë si dhe për personat e verbër, letërnjoftimet do të jepen falas".

Edhe atyre qytetarë që i përkasin këtyre kategorive por që tashmë kanë aplikuar për letërnjoftime, me cmimet e mëoparshme, diferenca e vlerës do t’u rimbursohet. Ministri Nishani tha gjithashtu se për një periudhë një mujore do të ndërpritet procesi për letërnjoftime për ata të cilët zotërojnë pasaportën.

“ Duke filluar nga data 1 Prill 2009 deri më datën 1 Maj 2009 personat që e kanë pasaportën për udhëtim jashtë vendit nuk do të lejohen të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik. Për të gjitha ato komuna ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit, ky vendim do të jetë në fuqi deri më datën 1 Qershor 2009."

Nuk dihet se sa kjo masë do të zbusë protestat e opozitës e cila ka dorëzuar në parlament një projektligj për dhënien falas të letërnjoftimeve për ata që nuk kanë pasaportë. Sipas ministrit Nishani kërkesa e opozitës është e pakuptimtë .

Sipas tij edhe me këtë ndërhyrje, janë të gjitha mundësitë teknike që të realizohet pajisja me kartë e atyre që nuk kanë pasaportë. Zyrtarisht vlerësohet se janë afër 730 mijë të tillë, ndonëse opozita flet për një numër më të madh. Prej tyre afër 150 mijë sipas ministrit Nishani kanë aplikuar. E deri në qershor është e mundur pajisja me letërnjoftime e afër 1 milion qytetarëve. //mm//

XS
SM
MD
LG