Lidhje

Bashkëpunimi NATO-Rusi në Afganistan


NATO-ja ndodhet në Afganistan që prej vitit 2003. Aleanca ka atje më shumë se 60 mijë trupa si pjesë e kontigjentit ushtarak, i cili gëzon mandatin e OKB-së dhe quhet Forca për Ndihmë dhe Siguri në Afganistan. Ky është misioni i parë i Aleancës jashtë rajonit euroatlantik.

Shtetet e Bashkuara kanë 38 mijë trupa në Afganistan, disa prej të cilave ndodhen atje si pjesë e forcave të NATOs. Analistët thonë se përpjekjet amerikane dhe të NATO-s u goditën rëndë muajin e kaluar, kur qeveria e Kirgistanit vendosi të largonte forcat amerikane nga baza ajrore Manas, e cila ishte marrë me qera nga Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2001.

Ambasadori amerikan në NATO gjatë administratës Klinton, Robert Hantër thotë se Rusia nuk ofroi shumë ndihmë për këtë çështje.

"Rusia na ka prishur punë duke i kërkuar qeverisë së Kirgistanit ta mbyllë bazën e Manasit, bazë që përdorej për dërgimin e furnizimeve për në Afganistan. Por nga ana tjetër, Rusia ka thënë se pajisje joluftarake mund të kalojnë përmes Rusisë”.

Eksperti i universitetit “Columbia”, Robert Legvold thotë se rusët kanë mendime të ndryshme në lidhje me Afganistanin.

"Atyre nuk u pëlqen prania ushtarake e NATO-s dhe e Amerikës në Azinë Qendrore. Por besoj se ata janë vërtet të shqetësuar për një dështim në Afganistan, çka do të kthente talibanët në pushtet dhe do të krijonte mundësi për destabilizim në Azinë qendrore në kufirin jugor të Rusisë".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Skjefer u përpoq të paraqiste një imazh pozitiv të marrëdhënieve me Rusinë kur foli me gazetarët në fillim të këtij muaji. Ai përmendi bashkëpunimin me Rusinë në lidhje me Afganistanin, veçanërisht gjetja e rrugëve alternative pas mbylljes së bazës së Manasit.

"Rusia ka treguar interes dhe duhet të jemi të kënaqur për këtë. E kemi parë këtë bashkëpunim në lidhje me gjetjen e rrugëve alternative pas mbylljes së bazës së Manasit. Pikërisht Afganistani është shembull i bashkëpunimit NATO-Rusi”.

Por Xhejzën Liall, ekspert i universitetit “Princeton”, nuk është shumë i sigurt nëse Rusia do të bashkëpunojë me NATO-n apo me Shtetet e Bashkuara për Afganistanin.

"Për momentin, rusët nuk kanë shumë interes të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara në lidhje me këtë çështje. Do të habitesha nëse ata do të ushtronin ndikimin e tyre për të ndihmuar në këtë aspekt. Unë pres që rusët të vazhdojnë ta vështirësojnë pozitën amerikane në lidhje me dislokimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake në rajon”.

Analistët bien dakord se me apo pa ndihmën e Rusisë në Afganistan, situata e atjeshme do të zërë vend kryesor në samitin e Aleancës që do të shënojë 60 vjetorin e saj muajin e ardhshëm. (ze)

XS
SM
MD
LG