Lidhje

Banka e Shqipërisë: Eksportet u pakësuan gjatë vitit 2008


Sipas një deklarate të Bankës Qendrore të Shqipërisë, eksportet erdhën duke u reduktuar gjatë vitit 2008 me një rritje nga 18 përqind në 11 përqind në fund të vitit. Ndërkohë, të ardhurat nga emigrantët kanë pësuar një rënie të ndjeshme.

Deklarata e Bankës së Shqipërisë për zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë gjatë viti 2008 pasqyron në të vërtetë vetëm fillimin e shfaqjes së efekteve të krizës ekonomiko financiare që ka mbërthyer sot botën.

Si një ekonomi ende në zhvillim, e papërfshirë në sistemet ndërkombëtare financiare, Shqipëria natyrisht nuk vlerësohet si një vend në krizë, por si një vend që në mënyrë të pashmangshme do ta ndjejë atë. Dhe si e tillë vala në vend mbërriti e zbutur ndryshe nga fuqia tronditëse me të cilën përfshiu vendet e zhvilluara. Shenjat u dhanë aty ku edhe pritej, në rënien e eksporteve dhe të të ardhurave nga emigrantët. Këto të fundit regjistruan një kurbë të fortë rënëse pas një ecurie vetëm ngjitëse.

Gjatë vitit 2008 ato kapën shifrën e 800 milion eurove nga mbi 950 milion që ishin një vit më parë, ose e thënë ndryshe ranë me gati 3 përqind, nga 12 në 9.2 në raport me prodhimin e brendshëm bruto.

Përsa i përket zhvillimeve tregtare në total ato ndoqën ecurinë e zakonshme me një thellim të deficitit, gjatë vitit 2008 me 300 milion euro të tjera duke arritur në 2.4 miliard euro. Si importet ashtu dhe eksportet shënuan një rritje me 17 e 16 përqind secila. Por kjo panoramë, nuk pasqyron luhatjet e kurbës së zhvillimeve tregtare.

Ndikimet e krizës botërore të cilat u shfaqën në fund të vitit, në vlerësimin vjetor u amortizuan nga ecuria e mirë e gjysmës së parë të 2008, madje dhe të tremurojit të tretë. Sepse në tremujorin e katërt ekportet u tkurrën dhe regjistruan një rënie prej 14 përqind. Ndërsa në një krahasim vjetor rritja në eksporte nga 18 përqind në fillim të vitit zbriti në 11 përqind në fund të tij.

Kjo vazhdë u ndoq edh në muajin janar. Deficiti tregtar i cili historikisht vetëm është thelluar, në muajin janar u reduktua duke u ulur me mbi 41 përqind krahasuar me dhjetorin. Por kjo jo si pasojë e rritjes së eksporteve, por si efekt i një uljeje drastike të importeve, të cilat shënuan një rënie rekord prej mbi 35 përqind krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar, ose 10 përqind krahasuar me janarin e 2008-s, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave.

Kriza botërore ka ndikuar edhe në sistemin financiar. Ndonëse bankat në Shqipëri kapërcyen pa tronditje fazën e parë të krizës e cila preku këtë sistem, aktiviteti i tyre pësoi, sipas të dhënave të vetë Bankës Qendrore, tkurrje edhe për vetë pozicionin mbrojtjës që ato morën. Rritja vjetore e aktiveve të sektorit bankar u ngadalësua në 12 për qind, krahasuar me 19 për qind në vitin e kaluar.

Rezultati financiar i sektorit bankar për vitin 2008 ka qenë pozitiv, por më i ulët se në vitin e mëparshëm, për shkak të një ngadalësimi në veprimtaritë fitimprurëse. Krahas një rënieje në ritmin e rritjes të huadhënies, edhe cilësia e kredive u përkeqësua dhe huatë e këqija arritën në 6.6 për qind të totalit të kredive. Por, raporti ende i kënaqshëm i kredive ndaj depozitave ka mbështetur rritjen vjetore solide të kredisë, prej rreth 35 për qind.

Rentabiliteti i sektorit bankar pritet të jetë më i ulët gjatë këtij viti, për shkak të volumit më të ulët të veprimtarive fitimprurëse të kostos të financimit mjaft më të lartë dhe të rritjes të fondeve rezervë për mbulimin e huave të këqija. Por, kjo sipas drejtuesve të Bankës Qëndrore nuk pritet të ketë ndonjë efekt thelbësor mbi treguesit e likuiditetit dhe të mjaftueshmërisë të kapitalit. //ii

XS
SM
MD
LG