Lidhje

Kryeushtaraku amerikan e quan vitin 2009 kyç për Afganistanin


Shefi i Shtatmadhorisë amerikane thotë se 2009 do të jetë një vit kritik për zbatimin e strategjisë së re të presidentit Barak Obama në Afganistan. Admirali Majk Myllen, foli dje në një takim në Uashington me oficerë të lartë ushtarakë nga Azia jugore dhe ajo qendrore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pesin njofton nga Pentagoni.

Admirali Myllen i bëri thirrje oficerëve të lartë t’i bashkohen ushtrisë amerikane në përpjekjet për të rivendosur stabilitetin në Afganistan dhe tha se nuk ka kohë për të humbur.

"Kjo strategji duhet zbatuar sa më shpejt. Ngjarjet e tre viteve të fundit në Afganistan nuk kanë qënë shumë pozitive. Dhuna në vend është rritur. Shqetësohem shumë mbi ndikimin që do të ketë kriza globale financiare jo vetëm në lidhje me Afganistanin ose Pakistanin, por edhe në burimet tona ushtarake në operacionet e ardhshme."

Strategjia e shpallur ditën e premte nga presidenti Obama, i jep përparësi kryesore luftës kundër organizatës al-Kaeda dhe grupeve të tjera terroriste. Strategjia po kështu bën thirrje për më shumë bashkëpunim rajonal.

"Ushtria jonë është e vendosur ta realizojë këtë mision me sukses. Ne e dimë se na duhet bashkëpunimi juaj dhe mezi presim ta bëjmë këtë. Duam të dëgjojmë idetë tuaja se si duhen zgjidhur sa më mirë problemet e rajonit”.

Admirali Myllen tha se sa më shumë kohë të kalojë pa u marrë seriozisht me sigurinë në Afganistan, aq më shumë kohë do t’u duhet trupave ndërkombëtare të qëndrojnë atje.

Ai po kështu tha se sulmi kundër një akademie policore në Lahore ditën e hënë tregon se grupet ekstremiste kërcënojnë si Pakistanin edhe Afganistanin. Admirali tha se udhëheqësit e Pakistanit e kuptojnë këtë problem dhe kanë nisur të përballen me të.

Shefi i ushtrisë i bën këto komente pak ditë pasi një oficer amerikan, që drejton programet stërvitore për ushtrinë dhe policinë afgane, i dërgoi autoriteteve në Uashington analizën e një plani për shtimin e ndjeshëm të forcave afgane.

NATO dhe qeveria afgane kanë rënë dakord të krijojnë një forcë ushtarake afgane prej 134 mijë vetësh dhe një polici prej 82 mijë anëtarësh para vitit 2012. Dje, Gjeneral Majori, Riçard Formika i tha gazetarëve se këto shifra mund të dyfishohen, por ky plan nuk është diskutuar në detaje me anëtarë të tjerë të koalicionit dhe nuk është miratuar nga asnjë palë.

"Plani duhet të analizohet mirë. Më pas ne do të vendosim numrin e duhur të trupave që do të nevojiten për sigurinë dhe stabilitetin e Afganistanit në mënyrë që qeveria afgane dhe populli afgan të mund të sigurojnë vendin me ndihmën e partnerëve të koalicionit”.

Gjenerali Formika thotë se ai do të dërgojë 4000 trupat që merren me stërvitje ushtarake, numër që u miratua nga presidenti Obama ditën e premte, në zonat e paqendrueshme të Afganistanit jugor dhe perëndimor. Ai thotë se 13 trupa amerikane do t’i bashkangjiten çdo batalioni afgan prej rreth 500 ushtarësh si dhe njësive policore. //ek

XS
SM
MD
LG