Lidhje

Marrëdhëniet Amerikë-Europë dhe e ardhmja e tyre


Presidenti Barak Obama po e shfrytëzon takimin e NATO-s për t’iu drejtuar publikut evropian, si dhe udhëheqësve të tij, duke i premtuar për një epokë të re lidhjesh mes dy anëve të Atlantikut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Paola Ufson na informon se zoti Obama ka kërkuar gjatë takimeve mbështetje për strategjinë e tij të re për Afganistanin dhe Pakistanin dhe ka bërë të njohura planet e tij për arritjen e çarmatimit bërthamor.

Presidenti iu drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë publikut evropian.

"Ajo që ne menduam se ishte e rëndësishme ishte që unë të kisha mundësinë jo vetëm që të flisja me ju, por edhe që të dëgjoja mendimin tuaj, sepse vetëm kështu ne mund të mësojmë nga njeri tjetri."

Presidenti filloi dialogun me studentët francezë dhe ata gjermanë në një arenë sportive të Strasburgut në Francë. Takimi i ngjante atij të një fushate elektorale. Dhe me të vërtetë, ai ishte si një fushatë për të fituar zemrat dhe mendjet e evropianëve.

Ishte pikërisht në atë takim, i cili nuk i përngjante një konferencë shtypi zyrtare, ku zoti Obama zgjodhi të bënte të njohur një lajm të rëndësishëm.

"Këtë fundjavë në Pragë unë do të bëj të njohur planin, për arritjen e synimit për të patur një botë pa armë bërthamore."

Zoti Obama dha pak hollësi për fjalimin që do të mbajë të dielën në kryeqytetin çek. Por ai u tha evropianëve se përhapja e armëve bërthamore është jo vetëm një problem i Amerikës, por edhe i tyri.

"Edhe në kushtet kur Lufta e Ftohtë ka përfunduar, përhapja e armëve bërthamore, apo vjedhja e materialit bërthamor mund të çojë në zhdukjen e cilitdo qytet në planetin tonë."- tha ai.

Zoti Obama i tha një djali të ri gjerman se kërcënimi nga sulmet terroriste nuk është pakësuar ngaqë në Washington ka një adminsitratë të re.

"Unë mendoj se është e rëndësishme që Evropa të kuptojë se edhe pse unë jam tani president dhe Xhorxh Bush nuk është më President, Al Kaida përsëri përbën kërcënim dhe se ne nuk mund të pretendojmë se nuk ka më rrezik, sepse Barak Husein Obama u zgjodh President dhe menjëherë gjërat do të shkojnë mirë."

Para takimit të NATO-s, zoti Obama po ashtu pati takime individuale me Presidentin francez Nikola Sarkozi dhe me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi, zoti Sarkozi tha se Franca e mbështet plotësisht strategjinë e re amerikane për Afganistanin dhe Pakistanin dhe se do të çojë më tepër oficerë për stërvitjen e trupave, që të punojnë me forcat afgane të policisë.

Të njëjtën gjë tha pak a shumë edhe kancelarja Merkel.

Në kufirin mes Francës dhe Gjermanisë ku mbahet takimi masat e sigurisë janë të forta. Protestuesit kanë kërcënuar se do t’i pengojnë punimet, por asnjë nga protestat nuk është drejtuar ndaj zotit Obama. Madje, në qendrën e Strasburgut kishin dalë pas barrikadeve të sigurisë, turma njerëzish, pikërisht për të parë Presidentin e ri amerikan.//lk




XS
SM
MD
LG