Lidhje

SHBA duhet të udhëheqë politikën për Ballkanin krahas evropianëve


Pas disa ndërhyrjeve në Ballkanin perëndimor dhe investimeve të konsiderueshme të komunitetit ndërkombëtar, vendet e rajonit kanë bërë përparim në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe realizimin e aspiratave Euro-Atlantike. Megjithatë, sfidat vazhdojnë të mbeten të shumta dhe në disa vende rrezikojnë minimin e rezultateve të arritura deri tani. Komisioni amerikan i Helsinkit zhvilloi një seancë që synonte të nxirrte në pah sfidat e ardhshme të Ballkanit Perëndimor dhe për të dëgjuar rekomandimet në përballimin e tyre nga administrata e re amerikane dhe partnerët evropianë.

Në seancën e komisionit të Helsinkit dëshmitarët e ftuar u ranë dakort se pavarësisht nga përparimi domethënës në disa fusha, Ballkani Perëndimor mbetet ende një rajon i brishtë ku Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të vazhdojnë angazhimin e tyre.

“Më e rëndësishmja është që Shtetet e Bashkuara të jenë të përgatitura ta ruajnë interesin e tyre në rajon dhe të mbështesin Bashkimin Evropian. Ata duhet të flasin me një zë dhe të jenë të bashkuar në strategjinë e tyre.”

Lord Pedi Eshdaun, ish përfaqësuesi i lartë për Bosnjë Hercegovinën theksoi se Bosnja mbetet sfida kryesore në Ballkan, prandaj është shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtarë të vërë theksin në ruajtjen e integritetit territorial të saj. Përveç kësaj, tha zoti Eshdaun, Beogradit duhet t’i bëhet e qartë se duhet të mbështesë politikën evropiane dhe amerikane në Bosnjë.

Ivo Banac, profesor në Universitetin Yale dhe president i Komisionit kroat të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta lënë pas dore Ballkanin pavarësisht nga çështjet e tjera më urgjente.

“Nevojitet një nismë e re diplomatike amerikane për stabilizimin e të gjithë rajonit, e sidomos të tre vendeve më kritike, Bosnjë Hercegovinës, Kosovës dhe Serbisë.”

Serbia tha zoti Banac vazhdon ta pengojë njohjen e pavarësisë së Kosovës përmes institucioneve paralele. Ekziston një pakënaqësi me politikat e komunitetit ndërkombëtar, prandaj Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë duhet të bëjnë çdo përpjekje për të nxitur njohjen e Kosovës nga vendet e tjera të Evropës. Administrata e re, tha zoti Banac, duhet të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj Gjykatës së Hagës. Arrestimi i Radovan Karaxhiçit tregoi se trysnia ndaj Beogradit sjell rezultate, prandaj kjo trysni duhet të vazhdojë.

Ivana Hauard nga National Endowment for Democracy, theksoi se Serbia përballet edhe me shumë sfida të tjera.

“Pavarësisht shenjave të përmirësimit pas formimit të qeverisë së re vitin e kaluar, duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje trajtimit të shoqërisë civile, avokatëve të të drejtave të njeriut dhe medias.”

Duke diskutuar për Maqedoninë, Xhejms Lajën nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit dhe ish këshilltar i lartë i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Serbi, tha se gjendja në atë vend është mjaft e brishtë.

“Qeveria në Maqedoni duhet të ruajë një ekuilibër delikat për t’iu përmbajtur Marrëveshjes së Ohrit. Por tani, vendi ka hasur probleme të tjera, siç është mosmarrëveshja për emrin me Greqinë. Kjo do të jetë pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.”

Zoti Lajën parashtroi idenë e një Përfaqësuesi të Posaçëm për Ballkanin, mendim i sugjeruar më parë edhe nga Lordi Eshdaun, për të mbikqyrur mbarëvajtjen dhe përparimin e rajonit gjatë procesit të demokratizimit dhe integrimit euro-atlantik. Dëshmitarët theksuan thuajse njëzëri nevojën që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin politikën për Ballkanin, krahas vendeve evropiane. //bsa//

XS
SM
MD
LG