Lidhje

SHBA gati t'u bashkohen fuqive botërore në bisedime me Iranin


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, thotë se SHBA do të jenë një pjesëmarrëse e plotë në bisedimet e nivelit të lartë me Iranin lidhur programin e debatueshëm bërthamor, duke shënuar kështu një tjetër kthesë në politikën amerikane ndaj Teheranit.

Zonja Klinton tha dje se nevojitet një angazhim tepër i kujdesshëm për një sërë çështjesh me Iranin. Ajo shtoi se “nuk ka asgjë më të rëndësishme” sesa përpjekjet për ta bindur Iranin t’i ndalë përpjekjet për të siguruar armë bërthamore.

Diplomatë të lartë të 5 vendeve të përhershme të Këshillit të Sigurimit, (SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania), plus Gjermania, u takuan dje në Londër. Ata thanë se do t’i kërkojnë Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana, ta ftojë Iranin që të takohen së shpejti, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore për çështjen “kritike”bërthamore.

Në deklaratën e tyre, vendet e Këshillit të Sigurimit i kërkojnë Iranit, siç thanë ata “të angazhohet seriozisht me ne për hir të respektit reciprok”. Zyrtarët iranianë nuk kanë bërë komente lidhur me këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie dypalëshe me Iranin, megjithatë, presidenti Barak Obama ka shprehur gatishmërinë për fillimin e dialogut.//ek

XS
SM
MD
LG