Lidhje

Samers parashikon përmirësimin gradual të ekonomisë


Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për ekonominë Lerri Samers tha se parashikon, që prirja e rënies së lirë ekonomike të marrë fund brenda pak muajsh, pasi të fillojnë të zbatohen masat qeveritare të stimulimit ekonomik.

Por zoti Samers tha para një audience dje në Uashington, se nuk është ende e qartë se sa kohë do të dojë ekonomia që të fillojë të shënojë përsëri rritje.

Ai tha se ritmet e rimëkëmbjes do të varen nga ekonomia globale, psikologjia e konsumatorëve dhe suksesi në zbatimin e programit ekonomik të administratës.

Dje, Presidenti Barak Obama tha se miliona amerikanë mund të kursejnë para, duke rifinancuar kreditë e shtëpive të tyre për të shfrytëzuar normat e interesave që janë në nivelin më të ulët.

Në komentet që bëri dje në Shtëpinë e Bardhë, ai u bëri thirrje pronarëve të shtëpive të shfrytëzojnë interesat e ulta dhe disa programe të reja të qeverisë, që synojnë të ndihmojnë njerëzit për huatë.

Problemet në tregun e shtëpive luajtën rolin kryesor në rënien e ekonomisë amerikane në recesion, i cili është përhapur në mbarë botën.

Protestuesit ndërpresin diskutimin e zotit Samërs

Zoti Sumërs foli para një audience të përbërë nga përfaqësues nga fusha e biznesit. Diskutimi u drejtua nga investitori i njohur Dejvid Rubinshtajn. Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga audienca, zoti Summers e përshkroi gjendjen e ngadalësimit të ekonomisë amerikane si të ngjashme me një top që bie nga tavolina.

"Mendoj se duhet të kemi besim të arsyeshëm, se kjo gjendje do të marrë fund gjatë muajve të ardhshëm. Të paktën, nuk do të kemi më ndjesinë e rënies së lirë. Se sa e fortë, dhe sa e shpejtë do të jetë kjo kthesë, nuk është e qartë," - tha zoti Summers.

Ndërsa zoti Summers mbante diskutimin, në podium hynë një numër protestuesish, të cilët e kritikuan personalisht zotin Summers, si dhe për rolin e tij në shumat e mëdha që i ofroi qeveria bankave për t’i ndihmuar nga rreziku i falimentimit. Protestuesit, në mënyrë demontrative, hapën para audiencës një parrulë, ku shkruhej: ”Ne i duam mbrapsht paratë tona”.

"Ne, populli, themi “JO”. Ky person fitoi 5,2 milionë dollarë, duke punuar vetëm një javë në vitin 2008 për një fond investimesh. Zotëri, a mund të na i ktheni paratë tona mbrapsht?"- thanë protestuesit.

Protestuesit qëndruan në podium për disa minuta dhe u nxorën më pas jashtë. Kohët e fundit u njoftua se zoti Samërs, ish sekretar i Thesarit dhe President i Universitetit Harvard, fitoi disa miliona dollarë vitin e kaluar, duke punuar për një grup investimesh. Por as zoti Samers, dhe as zoti Rubinshtajn, nuk folën për çështjet që ngritën demonstruesit.

Në komentet e tij, zoti Samers tha se ekonomia amerikane ndeshet ndoshta me rrezik të njëjtë si nga deflacioni, edhe nga inflacioni. Ai tha se ndërsa është e qartë se recesioni është tepër i thellë, ka disa shenja premtuese, se kriza mund të ketë arritur fundin.

Ekonomia amerikane hyri në recesion në dhjetor të 2007-ës.//lk



XS
SM
MD
LG