Lidhje

Përshtypjet evropiane pas vizitës së parë të presidentit Obama


Presidenti Obama përfundoi vizitën e tij të parë në Evropë që kur mori postin - një turne i zgjeruar që nga takimi i Grupit të 20-shes në Londër, tek takimi i nivelit të lartë i Natos në Strasburg, takimi me udhëheqësit e BE-së në Pragë dhe në Turqi për vizitën e tij të parë zyrtare në një vend me shumicë myslimane. Dhe duket se udhëheqësi amerikan ka lënë mbresa të thella tek evropianët.

Evropa e priti mjaft ngrohtë. Nga momenti kur presidenti dhe zonja Obama zbritën shkallët e avionit në Londër deri tek mbërritja në Strasburg.

Çdo lëvizje e tij u bë publike. Dhe udhëheqësit më të lartë botërorë dukeshin entuziastë përkrah lavdisë së tij. Kjo është forca shkëlqimit thotë konsulenti Tazeen Ahmad.

"Ai ka gjithçka. Ka fizik të mirë, është i gjatë dhe karizmatik. Është orator – ndoshta një nga më të mirët e kohëve tona, në mos më i miri. Të gjitha këto, përfshi këtu edhe momentin, e bëjnë atë njeriun që bota po e priste."

Por nuk ishte vetëm stili i tij. Në tryezë u shtruan çështje të mprehta. Në Londër, ishte plani për të nxjerrë botën nga kriza. Në Strasburg, në 60 vjetorin e Natos, ishte çështja e luftës në Afganistan. Dhe gjithandej mesazhi i tij ishte se në Evropë shkoi jo vetëm për të udhëhequr, por edhe për të dëgjuar.

Amerika nuk mund të përballojë sfidat globale e vetme, dhe as Evropa nuk i përballon dot ato pa Amerikën."

Ky mesazh u prit mirë nga evropianët, me një pritje të ngrohtë nga drejtuesi i takimit të Natos, presidenti francez Nikola Sarkozi.

"Dua t’i them Barak Obamës sa i kënaqur jam të punojë me të. Dua t’i them atij sa e vlerësojë mendjen e tij të hapur, vendosmërinë e tij për të ndërtuar një botë të re."

Vëmendje, bashkëpunim, drejtim. Zoti Obama çoi këtë mesazh në Turqi në vizitën e tij të parë zyrtare në një vend me shumicë myslimane. Në Ankara, shprehu respekt për historinë, kulturën dhe rolin e Turqisë në botë. Zoti Obama shprehu mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian – dhe u zgjati dorën e bashkëpunimit myslimanëve.

"Më lejoni të shprehem qartë : Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me fenë islame. Në fakt, partneriteti ynë me botën myslimane është kritik për zprapsjen e një ideologjie ekstreme që njerëzit e të gjitha feve kundërshtojnë."

Majkëll Koks, analist në Universitetin Ekonomik të Londrës thotë se ky është një mesazh i rëndësishëm. Por me politikën amerikane në Lindjen e Mesme nën administratën e presidentit Bush, fjalët tani duhet të pasohen me vepra.

"Ka një të shkuar. Kësaj marrëdhënieje i janë shkaktuar shumë dëmtime. Do të duhen më shumë sesa fjalët për të kaluar dyshimin e ngulitur."

Takimet me njerëzit e thjeshtë kanë qënë tipike për presidentin Obama që nga ditët e fushatës së tij. Dhe duket se kjo strategji funksionoj.

Ajo që sheh audienca, është një njeri që mendon me këmbë në tokë dhe që u përgjigje pyetjeve të vështira në një mënyrë inteligjente dhe të drejtë. Në përgjithësi presidenti i ri amerikan la mbresa të thella. Analistët thonë se pjesa më e vështirë – kthimi i fjalëve në vepra është ende përpara. //bsa//

XS
SM
MD
LG