Lidhje

Shqipëri: Të pavlefshme hetimet për rrugën Durrës-Kukës


Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi të shpallë të pavlefshme hetimet e prokurorisë për shkelje ligjore dhe abuzime financiare në ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës, sepse sipas Gjykatës, ato ishin kryer jashtë afatit ligjor të përcaktuar për veprime hetimore.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë la në fuqi vendimet e Gjykatë së Apelit, sipas të cilës, hetimet e kryera në një kohë shtesë kishin kapërcyer afatet ligjore të parashikuara ndaj edhe konsiderohen të pavlefshme.

Ministri i jashtëm, Lulëzim Basha, ish-ministër i transporteve, deklaroi në hyrjen e Gjykatës së Lartë se padia ndaj tij ishte një komplot kundër rrugës Durrës – Kukës.

“Sot mori fund një komplot politik kundër rrugës Durrës – Kukës – Prishtinë. Kjo është përgjigja e merituar nga drejtësia shqiptare për këtë komplot politik antishqiptar. Fundi i turpshëm i këtij komploti është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ata presin me padurim që së bashku me tunelin e Kalimashit të hapin një faqe të ndritur dhe të re në historinë tonë kombëtare,” tha ai.

Zoti Basha nuk pranoi të japë shpjegime teknike lidhur me padinë për abuzimë në ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës, por vazhdoi me komente politike kundër opozitës socialiste.

“Kjo është dita e kukuvajkës për Edi Ramën dhe për të gjithë ata që për dy vjet me radhë investuan politikisht në përbaltjen e këtij projekti dhe krenarisë legjitime që shoqërohet me të” - tha zoti Basha.

Ndërtimi rrugës Durrës - Kukës që lidh Shqipërinë me Kosovën është ambicja kryesore e qeverisë Berisha në fushën e infrastrukturës. Kjo rrugë nisi menjëherë me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike në 2005, ndërsa fondet kryesore i mori ndërtimi i një tuneli në Thirrë dhe Kalimash.

Akuzat e opozitës kanë të bëjnë me shkelje ligjore dhe financiare të konsiderueshme në tenderat për segmentet e rrugës, ndërkohë që edhe Prokuroria nisi hetimet, të cilat tani u bënë të pavlefshme nga Gjykata e Lartë.

Qeveria ka premtuar mbarimin e rrugës brenda mandatit 2005 - 2009. Të dhënat nga kantieret e rrugës flasin për një ecuri të mirë të punimeve dhe mbarimin e tunelit deri nga mesi i këtij viti. //ii

XS
SM
MD
LG