Lidhje

SHBA, Rusi dakord të zëvendësojnë Traktatin Start - 1


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakort të rifillojnë bisedimet për të zëvendësuar Traktatin për Pakësimin e Armëve Strategjike i njohur si START-1 që skadon në dhjetor. Në raportin e tij nga Uashingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim pikave kryesore të traktatit dhe rrugës përpara.

Vendimi për bisedime për zëvendësimin e traktatit START-1 u arrit gjatë takimit të Londrës në fillim të muajit mes presidentit Barak Obama dhe homologut të tij rus Dmitri Medvedev – i pari takim ballë për ballë mes dy udhëheqësve.

Pak ditë më vonë gjatë në fjalimi në Pragë, zoti Obama tha se administrata e tij do të hedh hapa konkretë drejt një bote pa armë bërthamore.

"Për të pakësuar mbushjet bërthamore dhe stoqet e armëve bërthamore, ne do të negociojmë një traktat të ri për pakësimin e armëve strategjike me rusët këtë vit. Presidenti Medvedev dhe unë e filluam këtë proces në Londër dhe do të kërkojmë një marrëveshje të re nga fundi i këtij viti që do të jetë ligjërisht e detyrueshme dhe tepër e guximshme. Dhe kjo do të hapë rrugën për shkurtime të mëtejshme dhe ne kërkojmë të përfshijmë të gjihta shtetet me armë bërthamore në këtë nismë," - tha Presidenti.

Marrëveshja START-1 u negociua në vitin 1980, dhe u nënshkrua nga presidenti amerikan George Herbert Walker Bush dhe presidenti sovjetik Mikhail Gorbachev në vitin 1991 ndërkohë që hyri në fuqi në vitin 1994.

Me më shumë se 1 mijë faqe, START-1 është një nga traktatet më komplekse në histori që shqyrton pakësimin e armëve bërthamore. Steve Andreasen, ka qënë ekspert i kontrollit të armëve në Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

"Ai cakton kufizime për bombarduesit me rreze të gjatë dhe raketat balistike ndërkontinentale, të vendosura në nëndetëse apo në baza në tokë. Traktati vendos gjithashtu një tavan mbi numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokohen në këto sisteme. Tavani i mbushjeve është 6 mijë dhe tavani i sistemeve shpërndarëse bërthamore është 1 mijë e 600."

Traktati START cakton gjithashtu kufizime dhe procedura verifikimi shumë të ndërthurura.
Uashingtoni dhe Moska kanë respektuar klauzolat e marrëveshjes. Por ajo skadon më 5 dhjetor të këtij viti.

Për disa vite, zyrtarët rusë dhe amerikanë janë përpjekur të bien dakort për një marrëveshje tjetër por nuk ka patur shumë përparim.

Ekspertët thonë se pas takimit Obama-Medvedev ka një impuls të ri tani për të arritur marrëveshjen. Ata thonë se negociatorët nga të dyja palët do të përpiqen të vendosin për një numër më të vogël të armëve bërthamore dhe klauzola për verifikimin që të jenë të përfshira në traktatin e ri.

Por a do të arrijnë marrëveshje deri në dhjetor? Frank Miller ka qënë gjithashtu ekpert për kontrollin e armëve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

"Në se presidentët e të dyja vendeve iu japin udhëzime negociatorëve të tyre për të mos lënë gjëra të vogla të prishin punë, dhe në se presidentët vëzhgojnë me vëmendje çfarë bëjnë negociatorët, përgjigja do të ishte pozitive,"- thotë eksperti.

Presidentët Obama dhe Medvedev kanë udhëzuar negociatorët e tyre të armëve të hartojnë një raport përparimi deri në korrik kur udhëheqësi amerikan pritet të vizitojë Moskën për një takim të nivelit të lartë.//lk



XS
SM
MD
LG