Lidhje

Stili i veçantë i Mishel Obamës mahnit Evropën



Zonja e parë, Mishel Obama shoqëroi presidentin Obama në udhëtimin e tij përtej Atlantikut, i pari që kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë. Por ajo nuk qëndroi nën hijen e tij. Zonja Obama fitoi zemrat e evropianëve jo vetëm me stilin por edhe me inteligjencën e saj.

Kudo që shkonte zonja Obama, kamerat ishin pas. Sensi i modës së zonjës së parë – nga fustanet me ngjyrë të verdhë e deri tek ato elegante të mbrëmjes – e bënë atë mjaft tërheqëse për kamerat.

Por duket se ishte personaliteti i saj dhe serioziteti që fitoi vëmendjen e publikut.

Në një shkollë në Londër, ajo dha përqafime dhe foli rreth fuqizimit të rolit të gruas.

"Ndryshimi mes një komuniteti me probleme dhe një tjetri në lulëzim është shpesh respekti mes burrave dhe gruave që vlerësojnë kontributet që secili i sjell shoqërisë. Ndryshimi mes një vendi të venitur dhe një tjetri me prespektivë është kuptimi i nevojës për të drejta të barabarta në arsim si për djemtë edhe për vajzat".

Ndalesa tjetër ishte Franca, ku ajo ishte po aq popullore.

Disa, si stilistja Tazeen Ahmad, u mahnitën nga shkëlqimi por edhe nga natyra e zonjës Obama.

"Sjellja e saj të kujton princeshën tonë të dashur Diana".

Të tjerë thonë se entuziazmi i njerëzve si për zonjën Obama edhe për Karla Brunin, gruan e presidentit francez, Nikola Sarkozi, tregon dëshirën për diçka të re dhe ndryshe.

Zonja Sarkozi, u bë ambasadore për SIDËn në Afrikë vitin e kaluar dhe ka vizituar nëna dhe fëmijë të prekur nga sëmundja.

Laura Braun është redaktore e revistës Harper’s Bazaar

"Të dyja ato përfaqësojnë feminizmi, modernizmin dhe forcën. Dhe nuk e kemi parë këtë, dhe veçanërisht dy gra si këto, për një kohë të gjatë".

Të bëhesh ikonë nuk është gjithmonë e lehtë. Se si Mishel Obama do të përshtatet me popullaritetin dhe rolin e ri, kjo mbetet ende për t’u parë.

XS
SM
MD
LG