Lidhje

Marina amerikane liron kapitenin e kapur peng nga piratët


Marina e Shteteve të Bashkuara arriti të lirojë kapitenin amerikan që mbahej peng nga piratët përballë brigjeve të Somalisë.

Në Bahrein, kreu i Komandës Qendrore të Marinës amerikane, Nënadmirali Bill Gortni tha se komandanti në vendin e ngjarjes u bind të dielën se kapiteni Riçard Filips ishte në rrezik jete prandaj urdhëroi snajperët e marinës të hapnin zjarr kundër piratëve.

Tre piratë u vranë ndërsa i katërti u kap.

Admirali Gortni tha se të paktën njëri prej piratëve i kishte drejtuar armën kapitenit kur snajperët hapën zjarr. Ai tha se Presidenti Obama i kishte autorizuar komandantët të përdornin forcën nëse bindeshin se kapiteni Filips ishte në rrezik.

Kapiteni i liruar u dërgua në një anije të marinës amerikane ku u ekzaminua nga mjekët të cilët thanë se ai gëzonte shëndet të plotë.

Presidenti Obama shprehu kënaqësi për operacionin e shpëtimit. Në një deklaratë me shkrim ai vlerësoi lart përpjekjet e ushtrisë dhe të agjencive të tjera qeveritare amerikane që punuan për shpëtimin e kapitenit Filips.

Një zëdhënës e familjes së kapitenit u tha gazetarëve se ai foli në telefon me gruan e tij e cila falenderoi dashamirësit për interesimin që treguan gjatë kësaj prove të vështirë që kaloi familja.

Piratët somalezë e morën peng kapitenin të mërkurën pas një përpjekjeje pa sukses për të rrëmbyer anijen e tij Maersk Alabama.

Anëtarët e ekuipazhit të anijes të cilët ndodhen tani në Mombasa të Kenias, thanë se kapitani u shpëtoi atyre jetën duke u dorëzuar vetë në duart e piratëve.

Anija ishte e ngarkuar me materiale ndimash ushqimore për refugjatët afrikanë.

Marina amerikane ka vazhduar patrullimin e ujrave përballë Somalisë në përgjigje të sulmeve të shumta të piratëve dhe të rrëmbimeve që kanë ndodhur në këto ujra. Piratët kanë rrëmbyer të paktën 6 anije gjatë javës së fundit, duke përfshirë një rimorkiator me flamur italian dhe me 16 vetë në bord.

Vitin e kaluar, piratët kapën më shumë se 40 anije dhe arritën të marrin para në shkëmbim të lirimit të ekuipazhit, në disa raste më tepër se 1 milion dollarë për anije. //ii

XS
SM
MD
LG