Lidhje

Obama: Të punojmë së bashku në zgjidhjen e sfidave globale


Me t’u kthyer nga vizita e tij e parë jashtë vendit si president i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama i bëri thirrje kombit për të punuar së bashku në zgjedhjen e sfidave me të cilat ballafaqohet bota. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Aleks Villarreal, në fjalimin e përjavshëm, zoti Obama shënoi festën e Pashkëve dhe bëri thirrje për të lënë mënjanë dallimet dhe për të gjetur fuqinë në gjërat e përbashkëta.

Presidenti Obama thotë se festa e Pashkëve është një moment reflektimi për detyrimet që njerëzit kanë për njëri tjetrin, duke lënë anash dallimet mes tyre.

Zoti Obama tha se së bashku është mënyra e vetme për të zgjidhur krizën ekonomike dhe për të mposhtur kërcënimet globale, si al-Kaidën dhe përhapjen e armëve bërthamore.

“Këto janë sfida që asnjë vend, pa marrë parasysh fuqinë e tij, nuk mund t’ia dalë i vetëm. Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin. Por mënyra më e mirë për të zgjidhur këto probleme të pashembullta realizohet duke vepruar në bashkërendim me vendet e tjera.”

Presidenti tha se kjo ide e përcolli në udhëtimin e tij jashtë vendit javën e kaluar.

Në takimin e NATO-s, i cili u mbajt në një vend në afërsi të kufirit të Gjermanisë dhe Francës, zoti Obama tha se aleatët kanë ofruar ndihma të rëndësishme për të mbështetur strategjinë e re amerikane për Afganistanin dhe Pakistanin.

Në Republikën Çeke, presidenti tha se paraqiti strategjinë për të bashkëpunuar me Rusinë dhe vendet e tjera për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore.

Po ashtu në samitin G-20 në Londër, zoti Obama tha se vendet pjesëmarrëse arritën në një mendim të përbashkët për t’iu kundërvënë problemeve ekonomike të botës.

“Unë u takova me udhëheqësit e vendeve të G-20 për t’u siguruar se ekonomitë më të mëdha të botës do të ndërmarrin një veprim të përbashkët dhe të fuqishëm ndaj krizës globale ekonomike. Së bashku, ne kemi ndërmarrë hapa për të stimuluar zhvillimin ekonomik, për të përmirësuar tregun e kredive, hapjen e tregjeve, dhe për të reformuar dukshëm sistemin e rregullatorëve financiarë, në mënyrë që të parandalojmë kriza të ngjashme në të ardhmen, hapa të cilat do të çojnë tek krijimi i vendeve të punës në Amerikë.”

Mirëpo republikanët nuk janë të sigurtë për planet e presidentit për ekonominë e vendit.

Në fjalimin e përjavshëm të republikanëve, Guvernatori i shtetit Minesota, Tim Paulenti tha se buxheti federal i propozuar nga presidenti Obama për vitin 2010 nuk përfshin shkurtimin e premtuar të taksave.

“Ky buxhet krijon shumë borxhe të reja, për mbulimin e së cilave do të nevojiten taksa më të larta për të gjithë ne dhe fëmijët tanë. Unë mendoj se kjo është e padrejtë. Tashmë familjet po ballafaqohen me vështirësi dhe bizneset e vogla nuk janë në gjendje të krijojnë menjëherë vende të reja pune. A nuk është koha që ne të pushojmë së punuari për qeverinë dhe që qeveria të fillojë të punojë për ne?”- tha zoti Paulenti.

Demokratët në Kongres mbështetën një variant të modifikuar të planit të presidentit për shpenzimet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat javën e kaluar, megjithë kundërshtimin e fuqishëm të republikanëve në opozitë.//ap

XS
SM
MD
LG