Lidhje

Prodhuesit e qumështit në Kosovë kërkojnë mbështetje nga qeveria


Milazim Berisha drejton një ferme në fshatin Miradi e Epërme, jo larg Prishtinës. Nga ferma e tij ai arrin të sigurojë rreth 2000 litra qumësht në ditë. Zoti Berisha thotë se është i kënaqur me rezultatet që i sjell ferma por konkurrenca jo e drejtë në treg sjell pengesa që ai të zhvillojë edhe më tej këtë veprimtari.

“Problemi më i madh është importi i tepërt i qumështit nga të gjitha vendet përreth. Problemi më i madh tek ne është shitja e prodhimeve të qumështit në përgjithësi. Prodhuesit përreth nesh kanë subvencione dhe ky është problemi kryesor që ne nuk mund të jemi konkurrent me ta në treg."

Si zoti Milazim Berisha ashtu edhe shumë prodhues e përpunues të tjerë të qumështit thonë se institucionet e Kosovës nuk u kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për të zhvilluar këtë sektor, i cili vlerësohet të jetë ndër fushat e suksesshme të ndërmarrjeve private.

Drejtori i qumështores "BYLMETI", Ymer Berisha, nuk ankohet në shitjen e prodhimeve që dalin nga qumështorja e tij por edhe ai tërheq vërejtjen në konkurrencën që u vihet prodhuesve vendas nga prodhimet e importuara.

"Ne nuk kemi ndonjë problem të theksuar rreth futjes në treg të produkteve tona. Ne kemi filluar të eksportojmë edhe në Shqipëri dhe nuk jemi aq keq.Do të ishte shumë më mirë me një mbështetje institucionale, me një politikë më të mirë fiskale.”

Qeveria e Kosovës thotë se ka nxitur shtimin e prodhimeve të qumështit duke ofruar lehtësira doganore dhe mbështetje financiare. Por drejtues të shoqatës së prodhuesve të qumështit dhe ata të shoqatës së qumështoreve të kosovës kanë paralajmëruar protesta për javën e ardhëshme meqë sipas tyre, qeveria nuk ka realizuar premtimet për mbrojtjen e këtij sektori.

Behlul Behluli, kryetar i Shoqatës së prodhuesve të qumështit në Kosovë komenton rreth kësaj:

" Në mesin e të gjitha kërkesave që kemi bërë janë të gjitha të realizueshme siç janë subvencionet, përcaktimi i çmimit bazë të qumështit, subvencionet të tjera të punueshme për tokën, në naftë, heqjai e akcizës, shkallëzimi i tatimit mbi vlerën e shtuar të qumështit dhe shumë kërkesa tjera të cilat ne i kemi marrë si model nga shtetet tjera qëi subvencionojnë prodhuesit e tyre.”

Kryetari i shoqatës së prodhuesve të qumështit në Kosovë, thotë se nga prodhimi dhe përpunimi i qumështit në mënyrë industriale sigurohen më shumë se 130 mijë litra qumësht. Ai tërheq vërejtjen se zvogëlimi i prodhimit dhe i përpunimit do të rrezikojë edhe shkurtimin e numrit të punëtorëve në këtë sektor i cili aktualisht numëron rreth 20 mijë punonjës, një numër jo i vogël në tregun e varfër të punës në Kosovë. //kh//

XS
SM
MD
LG