Lidhje

100 ditët e para të Presidentit amerikan dhe domethënia e tyre


Kur presidenti Franklin Ruzvelt erdhi në Shtëpinë e Bardhë në kulmin e Depresionit të Madh në vitin 1933, ai ndërmori një program ambicioz legjislativ gjatë 100 ditëve të para. Qysh atëherë, arritjet e para të çdo presidenti të ri amerikan maten me periudhën 100-ditëshe. Edhe presidenti i zgjedhur Barak Obama do të ketë shumë çështje që do t'ja paraqesë Kongresit, kur të marrë detyrën në janar. Këto do të jenë si çështje të mbetura nga administrata e presidentit Bush, ashtu edhe premtimet të bëra gjatë fushatës së tij.

Në konferencën e parë për shtyp pas fitores, presidenti i zgjedhur Barak Obama tha se përparësia e tij kryesore është ta bindë Kongresin të veprojë menjëherë për të zgjidhur një varg problemesh ekonomike.

"Një përparësi veçanërisht urgjente është zgjerimi i mëtejshëm i përfitimeve për të papunët që nuk mund të punësohen në këtë ekonomi të dobët. Një plan fiskal stimulues që do të nxiste rritjen ekonomike duhet të ishte bërë kohë përpara. Kam folur për të gjatë muajve të fundit të fushatës – dhe duhet ta finalizojmë. Duhet të zgjidhim ndikimin e krizës financiare në sektorë të tjerë të ekonomisë,"- tha ai.

Presidentët kanë programin e tyre, të cilin e shpallin çdo vit në fjalimin mbi gjendjen e vendit. Por ata nuk mund ta urdhërojnë Kongresin të zbatojë kërkesat e tyre, siç shpjegon Brian Darling, i Fondacionit Heritage në Uashington.

"Presidenti nuk ka dhe aq shumë pushtet për të vënë në zbatim axhendën e tij. Ai mund ti paraqesë Kongresit projektligje. Ai mund të kërkojë që Kongresi të miratojë për shembull shkurtime taksash. Kjo i jep Kongresit mundësinë të hartojë ligjin ose ta ndryshojë atë dhe pastaj ta miratojë në çfarëdo formë që e shikon të arsyeshme para se t'i kalohet presidentit për firmë," - thotë historiani.

Në përpjekjet për ta kaluar axhendën e tij në Kongres, zoti Obama do të shfrytëzojë shumicën tashmë më të konsoliduar që demokratët kanë në të dyja dhomat e Kongresit. Profesori i historisë Alan Lichtman në Universitetin Amerikan thotë se kjo mbështetje e shtuar do të ketë rëndësi të madhe për presidentin e ri në zgjidhjen e problemeve serioze të tanishme.

"Mësimet që dalin nga mandati i parë i çdo presidenti janë se ai duhet t'i zbatojë ndryshimet me shpejtësi. Ai ka një dritare të vogël mundësie për të miratuar ligjet që kërkon. Ruzvelti kishte 100 ditët e tij. Ronald Reagani zbatoi Revolucionin Reagan në më pak se një vit. Presidenti nuk ka shumë kohë veçanërisht në kulmin e një krize kaq të rëndë.- "thotë profesori.

Megjithë shumicën në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Obama do të duhet të bashkëpunojë me republikanët e opozitës. Nathan Gonzales i gazetës Rothenberg Political Report thotë se nuk është ende e qartë nëse republikanët do të bashkëpunojnë, apo do të pengojnë.

"Do të ketë një periudhë pritjeje për partinë republikane gjatë së cilës ata do të rigrupohen, do të vëzhgojnë demokratët, do të shohin se ku do të gabojnë ata dhe pastaj do të ngrejnë problemet e tyre,"- thotë ai.

Kandidatura e zotit Obama solli entusiazëm në shumë vende të botës. Ekspertët thonë se ai do të përqëndrojë një pjesë të vëmendjes në marrëdhëniet ndërkombëtare siç thekson profesori i Universitetit Xhorxhtaun, Mark Rom.

"Ai do të përpiqet gjithashtu të përmirësojë imazhin e Amerikës në botë duke u takuar me udhëheqës të huaj – jo pa kushte por do të takohet me ta në mënyrë të tillë që të lerë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për më shumë bashkëpunim shumëpalësh sesa në të shkuarën. Ai do të përpiqet gjithashtu të përmirësojë pozitën morale të Amerikës në botë,"- thotë profesori Rom.//lk

ITEM #

VOA-TV VIDEO CUT SHEET


XS
SM
MD
LG