Lidhje

A ka përfunduar misioni i Shteteve të Bashkuara në Ballkan?


Ambasadorët e vendeve të Ballkanit në Uashington, si dhe ekspertë të politikës së jashtme amerikane, ranë dakort se misioni amerikan në Ballkan nuk ka përfunduar ende. Në një përpjekje për të ofruar rekomandime mbi rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara pas thuajse 15 vjetësh angazhimi në Ballkan, në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare u organizua një forum ku u theksua se roli i Shteteve të Bashkuara është jetik që përkrah aleatëve evropianë, të nxisin zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, sigurinë rajonale dhe integrimin e vendeve të Ballkanit në strukturat Euroatlantike.

“A ka përfunduar misioni i Shteteve të Bashkuara në Ballkan?” ishte tema e konferencës së Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington ku u diskutuan rekomandimet për politikën e jashtme të administratën së re amerikane në lidhje me rajonin.

“Presidenti Obama ka një mundësi unike për të ndihmuar në përfundimin e misionit në Ballkan, ku Amerika dhe Evropa mund të bashkëpunojnë si partnerë. Ky mision nuk ka përfunduar ende,” tha Behgjet Pacolli, një nga bashkë-organizatorët e konferencës.

Ambasadorët e vendeve të Ballkanit në Uashington pajtohen se, pavarësisht nga ndihma që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë deri tani në rajon, misioni i tyre nuk ka përfunduar ende.

“Misioni amerikan për Shqipërinë duhet të vazhdojë me ndihmë dhe mbështetje për çështje të rëndësishme si zgjerimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit,” thotë Aleksandër Sallabanda, ambasador i Shqipërisë në Uashington.

Integrimi euro-atlantik është aspiratë e përbashkët e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe ndihma e Shteteve të Bashkuara shihet nga këto vende si një ndër faktorët më të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi.

“Ne presim që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të mbajnë rolin udhëheqës, jo duke qëndruar pas Evropës, por duke u angazhuar plotësisht në mbështetjen e aspiratave të vendeve të rajonin për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian,” thotë Avni Spahiu, ambasador i Kosovës në Uashington.

Vendet e Ballkanit perëndimor e konsiderojnë angazhimin e deritanishëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkan si pozitiv, por këmbëngulin se misioni amerikan duhet të vazhdojë për ta ndihmuar rajonin të përballojë sfida të tjera sigurie dhe ekonomike.

Nga ana e tyre, ekspertët amerikanë shprehen me optimizëm se Ballkani ka tani një perspektivë që nuk e ka pasur kurrë më parë, atë të integrimit evropian. Roli amerikan në Ballkan nuk ka përfunduar dhe përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara kanë interesa strategjike në stabilitetin e gjithë Evropës.

“Shtetet e Bashkuara kanë interesa strategjike të domosdoshme në solidaretitetin evropian. Marrëdhëniet me Evropën janë platforma jonë për të vepruar në të gjithë globin në thuajse çdo fushë. Interesat janë që nga aspekti ushtarak dhe energjia e deri tek stabiliteti ekonomik.”

Ballkani, thotë Xhejms O’Brajën, nga Grupi Ollbrajt, është pjesë e këtyre përparësive, sepse është e rëndësishme që edhe Evropa të mbajë premtimet e veta.

Përveç kësaj, ky rajon nuk është i vështirë për t’u integruar duke marrë parasysh përmasat e tij, numrin e popullsisë dhe aftësitë që mund të sjellin ata në tregun evropian.

Megjithëse, perspektiva e rajonit në përgjithësi mund të duket pozitive në një periudhë afatgjatë, disa vende të Ballkanit Perëndimor ende përballen me probleme që duhen zgjidhur për të përmbushur disa nga standartet bazë për integrimin euroatlantik.

“Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nënkupton marrëdhëniet e mira me të gjithë fqinjët e saj, duke përfshirë Kosovën.”

Eksperti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Server, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë më shumë për të bindur vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta pranojnë atë si shtet të pavarur dhe sovran.

Pjesëmarrësit në konferencë diskutuan edhe çështje të tjera si shqetësimet për situatën në Bosnjë Hercegovinë, bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së dhe mosmarrëveshjen e Greqisë me Maqedoninë për emrin e kësaj të fundit. //bsa//

XS
SM
MD
LG