Lidhje

SHBA vlerëson  Prishtinën për lejimin e vizitës së presidentit Tadiç


Ambasada Amerikane në Prishtinë përshëndeti sot vendimin e Qeverisë së Kosovës që t'i japë leje presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, që të qëndrojë në Manastirin e Deçanit me rastin e pashkëve ortodokse.


Deklarata e ambasadës amerikanë pasoi debatet që nxiti vizita e djeshme e presidentit serb në Kosovë gjatë së cilës ai tha se kishte shkuar atje për të sjellë mesazhe paqeje për të gjithë, ndërsa Kosovën e quajti pjesë të Serbisë.

Vizita e tij, u mundësua me ndërhyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë të cilët kërkuan nga qeveria e vendit ta lejonte atë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se leja është dhënë duke pasur parasysh faktin se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke e konsideruar atë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare.

Por ai kishte tërhequr vërejtjen që "nëse presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t'i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar".

Leja për vizitën u kritikuar nga një pjesë e opozitës dhe mjetet e informimit. Ambasada amerikane e cilësoi ndërkaq dhënien e lejes si një vendim të drejtë, të një shteti sovran dhe të marrë në frymën e Planit të Martti Ahtisarit. Në deklaratë thuhej se ajo ishte në interes të marrëdhënieve mes fqinjëve.

Disa delegacione zyrtare serbe nuk janë lejuar kohët e fundit të hyjnë në Kosovë pa lejen e institucioneve të vendit. Beogradi vazhdon të refuzojë institucionet e Kosovës dhe të kundërshtojë pavarësinë e saj. //kk//

XS
SM
MD
LG