Lidhje

Kosovë: Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët


Në Kosovë, besimtarët e ritit ortodoks po kremtojnë Festën e Pashkëve. Autoritetet kanë përgëzuar besimtarët ortodoks, që kryesisht i takojnë komunitetit serb, ndërsa kanë bërë thirrje për paqe e tolerancë.

Besimtarët ortodoksë në Kosovë,që kryesisht i takojnë komunitetit serb, po kremtojnë sot Festën e Pashkëve,ndërsa zyrtarët më të lartë vendas e ndërkombëtarë po i përgëzojnë ata me thirrjet për paqe e tolerancë.

Me këtë rast, presidenti, Fatmir Sejdiu, ka përcjellë porosi paqeje dhe dashurie për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai u ka premtuar qytetarëve të komunitetit serbë se Institucionet e Kosovës do të punojnë me vendosmëri, me qëllim që të gjithë qytetarët, pa dallim etnie e besimi, të jenë plotësisht të lirë dhe të ndihen të dobishëm për atdheun e tyre.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, në përgëzimin e tij uron besimtarët ortodoks duke nënvizuar se të gjithë qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të kremtojnë festat e tyre në paqe e tolerancë, në solidaritet dhe mirëkuptim duke shikuar vetëm nga ardhmëria e sigurt euroatlantike.

Në të gjitha kishat ortodokse në Kosovë, mbrëmë janë mbajtur liturgji fetare, ndërsa ceremonia kryesore është mbajtur në Manastirin e Deçanit, në Kosovën perëndimore, të cilët dy ditë më parë e vizitoi Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç.

Vizita e presidentit serb, e cila mundësua me lejen e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, ngjalli reagime të shumta, meqë gjatë qëndrimit në Manastir ai tha se ka ardhur për të përcjellë porosi të paqes për të gjithë, ndërsa Kosovën e quajti pjesë të Serbisë.

Kjo vizitë u mundësua pasi që përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian i kërkuan qeverisë që të lejojë presidentin serb të vizitojë Kosovën.

Leja e qeverisë për presidentin serb ishte bërë me kushtin që ky i fundit të mos bëjë deklarata politike. Opozita dhe mjetet e informimit thanë se me deklaratat e tij, presidenti serb shpërfilli institucionet e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se leja për vizitën e presidentit serb ishte dhënë në interes të shtetit të Kosovës. Kjo leje është mbështetur edhe nga ambasada amerikane në Prishtinë e cila nëpërmjet një deklarate e cilësoi këtë vendim të një shteti sovran, i sjellë në frymën e Planit të Martti Ahtisarit, dhe në interes të marrëdhënieve fqinjësore.//mm//

XS
SM
MD
LG