Lidhje

Myslimanët e Kinës do të kërkojnë lirimin nga Guantanamo


Presidenti Obama kohët e fundit ritheksoi synimin e tij për të mbyllur objektin amerikan të paraburgimit në Gjirin Guantanamo të Kubës brenda një viti. Por avokatët e myslimanëve kinezë që mbahen në Guantanamo kanë vendosur të mos presin. Këtë muaj ata iu drejtuan Gjykatës së Lartë me kërkesën që të ndërhyjë për klientët e tyre. Edhe nëse Gjykata pranon ta marrë në shqyrtim çështjen, nuk pritet që vendimi të merret brenda këtij viti. Avokatët i kërkuan Gjykatës së Lartë të rishikojë vendimin e një gjykate federale apeli e cila e ka bllokuar lirimin e këtyre shtetasve kinezë me kombësi ujgure.

Ujgurët mbeten besimtarë të devotshëm ndaj fesë së tyre myslimane. Pekini i akuzon ata se kryejnë akte terrorizmi për qëllime separatiste. Vite më parë, disa ujgurë u larguan nga Kina për në Pakistan dhe Afganistan dhe 22 prej tyre u kapën nga autoritetet amerikane dhe u dërguan për në burgun e Guantanamos në fund të vitit 2001, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

Në vitin 2006, administrata Bush arriti në përfundimin se 5 nga ujgurët nuk përbënin rrezik dhe i dërgoi ata në Shqipëri për t’u sistemuar. Avokati nga Uashingtoni, Xhorxh Klark përfaqëson dy nga 17 ujgurët e mbetur.

"Deri shtatorin e kaluar ata mbaheshin në paraburgim me argumentin se ishin luftëtarë armiq dhe teoria e administratës Bush ishte se mund t’i mbante si luftëtarë armiq edhe pa ngritur akuza ndaj tyre. Në muajin shtator ky argument ra dhe qeveria e pranoi se ata nuk janë luftëtarë armiq."

Zoti Klark thotë se klientët e tij dhe ujgurët e tjerë që ai ka takuar në Guantanamo nuk kanë synime për dhunë ndaj Kinës apo ndonjë vendi tjetër.

"Këta njerëz nuk janë terroristë. Ata nuk janë stërvitur kurrë për të qenë terroristë apo për të sulmuar civilët dhe për të ndryshuar makinën politike të Kinës."

"Kjo është krejtësisht e gabuar," … thotë Çarls Stimson, i cili ka qenë Zëvendëssekretar i Mbrojtjes nga viti 2004 deri më 2007. Ai nuk është dakord që ujgurët e Guantanamos të quhen refugjatë të pafajshëm.

"Ata u larguan nga Kina perëndimore për t’u stërvitur si terroristë. Ata janë në listën e Departamentit të Shtetit për trajnimet terroriste si nën administratën Obama ashtu edhe nën atë të zotit Bush. Dhe janë për një arsye”.

Kjo është e pikëpamja e Kinës e cila ka kërkuar riatdhesimin e tyre. Ja ç’thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Qin Gang:

"Ne e kemi shprehur disa herë dhe qartë pozitën tonë. Ne i kërkojmë Shteteve të Bashkuara t’i kthejnë sa më shpejt në Kinë këta persona të dyshuar si terroristë”.
Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë ta bëjnë këtë pasi besojnë se ujgurët do të torturohen dhe përndiqen nëse dërgohen në Kinë. Po ku duhet të shkojnë ata nëse lirohen nga baza Guantanamo?
Avokati Xhorxh Klark thotë se dhjetra vende e kanë refuzuar kërkesën amerikane për të pranuar ujgurët, të shqetësuar se Kina mund të hakmerret.

"Kinezët u kanë bërë shumë presion vendeve të tjera të mos i pranojnë ujgurët. Mendimi im është dhe Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë disa prej tyre ose edhe të gjithë”.

Kampi i paraburgimit në Guantanamo u ngrit për të mbajtur aty luftëtarë armiq dhe terroristë që në shënjestër kanë Shtetet e Bashkuara dhe jo Kinën. Cilatdo qofshin synimet e tyre ndaj Kinës, ujgurët e Guantanamos nuk janë akuzuar kurrë se kanë komplotuar kundër Amerikës. Po pse të mos dërgohen në Shtetet e Bashkuara?

Çarls Stimson thotë se duhen peshuar shumë faktorë për t’i sistemuar ata në Shtetet e Bashkuara, nga marrëdhëniet amerikano-kineze te shqetësimet për sigurinë, duke përfshirë ndonjë sulm ndaj objekteve kineze brenda Shteteve të Bashkuara.

"Nëse administrata Obama mendon se ata nuk përbëjnë kurfarë kërcënimi, ajo do t’i kishte sistemuar ata në Shtetet e Bashkuara”.

Në Guantanamo ndodhen aktualisht rreth 250 persona, më pak se gjysma e numrit që mbaheshin atje para pak vjetësh. Shumë prej tyre janë kthyer në vendlindje. Por, Shtetet e Bashkuara kanë thënë qartë se kthimi në Kinë do të ishte i rrezikshëm për numrin e vogël të ujgurëve që ndodhen në Guantanamo. (ze)

XS
SM
MD
LG