Lidhje

Obama i kërkon kabinetit të ulë 100 milionë dollarë shpenzime


Presidenti amerikan Barak Obama u ka kërkuar anëtarëve të Kabinetit të tij të shkurtojnë 100 milionë dollarë në shpenzime federale gjatë 90 ditëve të ardhshme. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, ky veprim është kryesisht një hap simbolik për të tërhequr vëmendjen tek ulja e shpenzimeve në Uashington.

Presidenti thotë se amerikanët duhet të sigurohen se qeveria po shpenzon paratë e mbledhura nga taksat e tyre me maturi.

“Të gjithë e kemi të qartë se ndërsa përpiqemi të zgjidhim këtë krizë të jashtëzakonshme ekonomike, ne përballemi edhe me një deficit, një krizë besimi tek amerikanët. Ne na duhet ta rifitojmë besimin e tyre.”

Zoti Obama foli në mbyllje të takimit të tij të parë zyrtar me të gjithë kabinetin e tij përveç të emëruarës për Sekretare të Shendetësisë, Kathlin Sebelius, e cila po pret miratimin nga Senati.

Zoti Obama nënvizoi hapat të cilat janë marrë për të kursyer fonde, që nga përdorimi me efektivitet i godinave të Departamentit të Bujqësisë, e deri tek zëvendësimi i udhëtimeve të biznesit me videokonferenca në Departamentin për Çështjet të Veteranëve.

“Ka vend për rritjet e efektivitetit pa rritur numrin e personelit ose buxhetin, por duke shkurtuar shpenzimet e panevojshme. Ky veprim do të lejojne financimin e disa nismave kritike”.

Zoti Obama u tha anëtarëve të Kabinetit të tij se ai dëshiron që ata të shkurtojnë 100 milionë dollarë shpenzime gjatë 90 ditëve të ardhshme. Ai po ashtu nënvizoi se fondet për programet jo të efektshme do të shkurtohen në javët dhe muajt e ardhshëm.

Ai pranoi se shkurtimet në vlerë prej 100 milionë dollarë mund të mos duken aq shumë, sidomos në se merren parasysh shpenzimet vjetore federale në vlerë prej triliona dollarësh.

“Asnjë nga këto kursime në vetvete nuk do të zgjidhë problemet afatgjata financiare të vendit. Por së bashku këto kursime mund të sjellin ndryshime dhe mund të dërgojnë një mesazh se ne jemi të përkushtuar për të ndryshuar mënyrën se si funksionon qeveria.”

Por kritikët e zotit Obama përmendin se shkurtimi i shpenzimeve në vlerë prej 100 milionë dollarësh është shumë pak pasi kjo vlerë paraqet vetëm një pjesë të vogël të përqindjes së deficitit të buxhetit federal.

Javën e kaluar, ata organizuan protesta në të gjithë vendin. Këto protesta u mbajtën në ditën kur skadonte afati për amerikanët për të raportuar të ardhurat e tyre vjetore dhe paguar taksat.

Kreu i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Beinër nga shteti Ohajo, tha se këto protesta bartnin një mesazh për presidentin.

“Njerëzit janë të shqetësuar me vlerën e shpenzimeve në Uashington dhe me sasinë e borxheve që po rriten”.

Zoti Beinër i bëri këto komente në programin televiziv “This Week” të ABC-s.//kk//

XS
SM
MD
LG