Lidhje

Ushtria amerikane rekruton emigrantë në shkëmbim të nënshtetësisë



Ushtria amerikane po shton përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve me aftësi të veçanta duke i ofruar imigrantëve shtetësi amerikane në mënyrë të përshpejtuar.

Diçka e tillë ndodh në një moment kur Pentagoni po përgatitet të dërgojë disa mijëra trupa shtesë në Afganistan ndërsa lufta në Irak vazhdon prej 6 vjetësh.

Vetë Shefi i Shtabit i Ushtrisë Amerikane drejtoi ceremoninë e betimit të një grupi rekrutësh gjatë një ceremonie në Nju Jork. Gjysma e 32 rekrutëve të ushtrisë amerikane janë emigrantë nga vende si Pakistani, India, Koreja e Jugut dhe Bangladeshi.

Gjenerali Xhorxh Kejsi i uron mirëseardhjen ushtarëve të rinj të cilët janë rekrutuar përmes një programi që quhet jetik për sigurinë kombëtare. Ky program-pilot ofron nënshtetësi amerikane të përshpejtuar në shkëmbim të rekrutimit në ushtrinë amerikane. Rekrutët duhet të kenë jetuar të paktën dy vjetët e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Nënkolonelja Margaret Stok thotë se ushtria po kërkon njerëz me aftësi gjuhësore ose mjekësore. "Na duhen edhe njerëzit që kuptojnë kulturat e tjera me të cilat ne përballemi dita ditës. Mësuam se këto aftësi ishin shumë të rëndësishme në operacionet tona në Irak dhe Afganistan”.

Programi special që mban emrin MAVNI dhe që ka nisur në muajin shkurt të këtij viti, ka rekrutuar 52 ushtarë të rinj deri tani, 60% e të cilëve kanë arsim të lartë. Ushtria kërkon njerëz që flasin 35 gjuhë që i vlerëson strategjike për operacionet e veta.

Stivën Çi flet gjuhën kineze dhe katër gjuhë të tjera. Ai do të punojë si specialist i furnizimit me naftë.

Siç tregon ai, qëllimi që u fut në ushtri nuk ishte pashaporta amerikane por lidhjet shoqërore.

"Unë jam rritur në Norvegji, prindërit e mi janë kinezë dhe besoj se ushtria do më ndihmojë të gjej veten”.

24 vjeçarja nga India, Tonia Mishra do të nisë punën si specialiste e ujërave. Ajo thotë se ushtria e kishte kontaktuar pasi kishte parë rezymenë e saj në internet. Ndërsa rroga e saj do të jetë më e ulët seç priste pasi kishte marrë diplomën master, ajo thotë se ushtria ka përfitime të tjera.

"Ushtria siguron kujdes shëndetësor për familjen dhe të jep mundësinë të udhëtosh nëpër botë. Dhe me gjendjen ekonomike të tanishme, kjo duket zgjidhja më e mirë”.

Rekrutët e rinj tani i pret stërvitja bazë, një program nëntë-javor që përfshin përgatitje fizike, disiplinore dhe edukuese.

Dhe, pas stërvitjes disa nga ushtarët e rinj mund të shkojnë në Irak apo Afganistan, ku mund të përballen me rreziqet e luftës. 380 vetë kanë aplikuar deri më tani për këtë program, ndërsa ushtria thotë se do të rekrutojë deri në 1 mijë vetë para përfundimit të programit në fund të këtij viti.//rd//

XS
SM
MD
LG