Lidhje

Në Kosovë shënohet "Dita e Tokës"


Qeveria e Kosovës planifikon mbjelljen e 2 milionë drunjve në gjithë vendin. Kjo është mënyra që ajo ka zgjedhur për t’iu përgjigjur shqetësimeve për shkallën e lartë të ndotjes së mjedisit në Kosovë.

Në ditën ndërkombëtare të Tokës, zyrtarë të institutit kombëtar të Shëndetësisë thanë se vlerat e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë janë një problem serioz për vendin ku ka shumë makina të vjetra, pak hapësira të gjelbëruara dhe disa ndotës të mëdhenj ku përfshihen edhe Termocentralet e vjetra të vetmet burime të energjisë elektrike në vend. Disa drunj të mbjellë në parkun e vetëm të Prishtinës shënuan fillimin e asaj që qeveria e ka cilësuar fushatë “një banor - një fidan”.

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu tha se kjo është pjesë e përpjekjeve të Kosovës për mbrojtjen e mjedisit.

“Që të jetë edhe kontribuuese paralele në përgjithësi të themi me atë që është përballje e sotme më klimat, me ngrohjen globale dhe me përpjekjet e vazhdueshme ambientaliste të vendeve që dëshirojnë vërtetë të japin diçka plus për njerëzimin”, tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se në shtetin e ri do të ketë më tepër përpjekje për përmirësimin e mjedisit, gjendja e të cilit ka nxitur shqetësime të specialistëve të kësaj fushe.

“Pikërisht duke u nisur nga shqetësimet që kemi për ambientin edhe në kryeqytet edhe në gjithë Kosovën, qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë aksionin “një qytetar – një fidan” dhe është duke investuar maksimalisht që vetëm gjatë këtij viti të kemi rreth 2 milion fidanë të mbjellur anë e kënd Kosovës”, tha kryeministri Thaci.

Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara Thomas Yazdgerdi, kujtoi se presidenti amerikan Xherald Ford ishte i pari që shpalli më 1975 ditën amerikane të tokës, duke tërhequr vërejtjen se të gjithë njerëzit e botës, duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës për të ruajtur burimet natyrore të tokës. Ai tha se edhe presidenti aktual Barack Obama e ka shndërruar në përparësi të administratës së tij mjedisin e pastër e të shëndetshëm.

“Derisa Kosova ka hyrë në epokën e re të historisë së saj, kujdesi për mjedisin është më rëndësi thelbësore për të ardhmen e saj, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm, të ruajë burimet dhe bukuritë e saj si dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Ruajtja e mjedisit është një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian të Kosovës që ne e mbështesim fuqishëm”, tha zoti Yazdgerdi.

Kosova nuk ka një industri funksionale, por edhe më tej vazhdon të vuaj pasojat e së kaluarës. Gjendja më e rëndë vlerësohet në kampet e banorëve të komunitetit romë në veriun e Mitrovicës të cilët jetojnë në një mjedis më shkallë të lartë të ndotjes.

Organizatat shëndetësore kanë tërhequr vërejtjen se prania e plumbit në gjakun e këtyre banorëve e kalon shumëfish shkallën lejueshme sipas standardeve ndërkombëtare. //bsa//

XS
SM
MD
LG