Dy shpërthime vetëvrasëse në Irak shkaktuan të paktën 75 të vrarë në një prej ditëve më të dhunshme në vend në më shumë se një vit.
Në shpërthimin më vdekjeprurës, autori i sulmit hodhi në erë eksplozivin në një restorant në provincën e trazuar të Dijalës. Të paktën 47 veta u vranë, mes tyre edhe peligrinë iranianë shiitë.
Në Bagdad, policia tha se të paktën 28 veta u vranë sot nga një shpërthim, që kishte në shënjestër një patrullë të policisë afër sheshit Taharijat të kryeqytetit. Zyrtarët thanë se forcat policore po shpërndanin ndihma për familjet e shpërngulura kur autori i njërit prej sulmeve hodhi veten në erë. Zyrtarët e sigurimit thanë se mes të vrarëve ka pasur edhe fëmijë.
Ndërkaq, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi sot se qeveria irakiane thotë se mbi 87 mijë Irakianë kanë humbur jetën nga dhuna që nga viti 2005. Kjo agjenci lajmesh bëri të ditur se e mori këtë informacion nga një zyrtar irakian, që kërkoi të mos identifikohej.
Po sot, autoritetet në Bagdad njoftuan kapjen e një udhëheqësi të lartë të kryengritësve suni.
Një zëdhënës i ushtrisë tha sot se Abu Omar al-Baghdadi, i cili mendohet të jenë kreu i organizatës Shteti Islamik i Irakut, një grup që ka lidhje me al-Kaidën, u arrestua në Bagdad.//mm//