Lidhje

Tesla Motors sjell makinën elektrike



Ato janë të shpejta dhe nga ana ekonomike apo stilit mund t’i bëjnë një konkurencë të fortë Ferrarit. E veçanta e tyre, burimi i vetëm i energjisë është elektriciteti. Në materialin në vazhdim kolegu Kastriot Haxhiaj na çon në shtetin plot diell të Kalifornisë ku vetura elektrike Tesla Roadster, që nuk e ndot aspak mjedisin, gëzon një popullaritet tejet të madh ndërkohë që modeli i ri i kësaj makine është tejet i kërkuar nga blerësit.

Deri para pak vitesh makinat elektrike nuk kanë qënë sinonim i shpejtësisë dhe luksit. Por kjo ka ndryshuar falë burimeve alternative dhe përparimeve teknologjike.

Kalifornia e Jugut është tregu më i madh dhe i vetëm për veturat elektrike nga Tesla Motor.

Ajo çfarë e karakterizon këtë makinë është shpejtësia. Dy vjet më parë, Tesla nxori në treg veturën elektrike e cila mbetet një prej automjeteve rivale të makinave tradicionale.

Një pikëshitjeje në Santa Monica, më e madhja kjo në botë, ka një listë të gjatë njerëzish që kanë porositur makinën sportive. Deri tani aty janë shitur 250 vetura dhe ka rreth 1,000 në linjën e prodhimit për cilat është bërë pagesa fillestare.

Por për të ardhur deri këtu, Tesla e ka pasur paksa të veshtirë. Modeli origjinal kushton 109 mijë dollarë duke e kufizuar grupin e blerësve.

Në mars, kompania premtoi nxjerrjen në treg në 2012 të modelit të ri S që kushton sa gjysma e çmimit të makinës origjinale çfarë mund ta transformojë kompaninë kaliforniane në një lojtar në tregun e industrisë së makinave.

Makina është vlerësuar sëtepërmi për formën e saj dhe aftësitë motorike tejet efikase. Duke qënë një makinë krejtësisht elektrike, vetura nuk ndot aspak mjedisin. Automjeti ka një bateri gjigande me litium dhe jon, të të njejtës teknologji si bateritë e kompjuterve portativë apo telefonëve celularë.

Duke qënë tejet e madhe, me një peshë prej gati 500 kilogramësh, bateria zë mjaft vend të pjesës së prapme të veturës. Xheremi Snajder, një nga drejtuesit e Tesla Motors, thotë se precedura e karikimit nuk ndryshon shumë nga karikimi i telefonave celularë.

"Vetura karikohet nëpërmjet një kordoni elektrik që vihet në prizë, njëlloj siç karikohet telefoni celular”.

Pas katër orësh karikimi, vetura mund të përshkruajë 220 milje apo 354 kilometra.

Mes të dashuruarve me veturën elektrike, Tesla Roadster, janë edhe guvernatori Arnold Shvarceneger, aktorët Xhorxh Kluni dhe Dustin Hofman.

Kritikët thonë se makina ka gjetur popullaritet sepse njerëzit kanë dëshirë të përcaktojnë stilin dhe shijen që të tjerët t’i ndjekin ato. Zyrtarët e Teslës thonë se vetura është lidhja teresore e imazhit me mjedisin. Megjithë kohët e veshtira ekonomike dhe tkurrjen masive të tregut të automjeteve, kërkesa për makinat hibride vazhdon të dominojë.

Kris Pejn, autor i filmit të vitit 2002 , Kush e Vrau Makinën Elektrike? thotë se disa vjet më parë, industria e naftës dhe automobilëve nuk pranuan makinën elektrike ndërkohë që vazhdonin të nxirrnin fitime të mëdha.

“Prodhuesit e makinave me karburant dhe ata që shesin karburantin nuk duan të ketë makinë elektrike. Por konsumatorët tani po kërkojnë ndryshime. Kalifornia është një vend i përshtatshëm për këtë sepse ka burime energjie të ripërtëritshme. Energjia elektrike është mjaft e pastërt dhe pse mos të kemi të gjithë makina të tilla”.

Skot Peinter, themelues i Zag.com, CarsDirect.com dhe Build-To-Order thotë se pakënaqësia e publikut me industrinë automobilistike ka bërë që ata ta kthejnë veshtrimin tek Tesla.

Por deri tani Tesla nuk ka nuk ka arritur të nxjerrë fitime.

Drejtuesi i kompanisë Elon Musk thotë se kompania ka siguruar një tjetër kredi prej 40 milion dollarësh nga investitorët, çfarë do ta bëjë kompaninë fitimprurëse nga mesi i vitit.

Pavarësisht se çfarë do të sjellë e ardhmja për Teslën, Roadster ofron modelin e parë për perspektivën e industrisë automobilistike.

XS
SM
MD
LG