Lidhje

Katër policë serbë dënohen për krime lufte në Kosovë



Gjykata për krime lufte në Beograd i gjeti fajtorë katër pjesëtarë të policisë serbe për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë dhe tre të tjerë i shpalli të pafajshëm.

Dy veta u dënuan me nga 20 vjet heqje lirie, një me 13 vjet dhe një me 15 vjet heqje lirie nën akuzat për vrasjen e 48 civilëve shqiptarë në Suharekë rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

I akuzuari kryesor, ish komandanti i njësitit të policisë së posaçme të Serbisë, Radoslav Mitroviç, është liruar nga përgjegjësia për dhënien e urdhrit për vrasjen e civilëve.

Prokuroria e posaçme i kishte akuzuar shtatë pjesëtarë të policisë serbe se me 26 mars të vitit 1999 kishin kryer një nga masakrat më të rënda gjatë luftës, duke vrarë 48 civilë shqiptarë në mesin e të cilëve 14 fëmijë, dy foshnja, një grua shtatzënë dhe një plakë 100 vjeçare.

Në aktvendimin e gjykatës thuhet se të akuzuarit kishin rrethuar anëtarët e familjes Berisha në Suharekë duke vrarë me automatik disa burra, ndërsa anëtarët tjerë i kishin futur në një piceri dhe kishin hedhur bomba dore. Më pastaj çdonjëri që ka treguar shenje jete është qëlluar nga afërsia

Rreth 100 veta kanë dëshmuar gjatë procesit gjyqësorë që filloi në tetor të vitit 2006, në mesin e të cilëve edhe Shyhrete Berisha e cila I kishte mbijetuar vrasjes, në të cilën kishte pësuar pothuajse në tërësi familja e saj.

Pas vrasjes trupat e tyre ishin marrë nga forcat serbe dhe janë zbuluar më vonë në njërën nga varrezat masive në afërsi të Beogradit, ku janë zbuluar edhe trupa të shqiptarëve të tjerë.

Në reagimet e para është shprehur pakënaqësi me vendimin e sotëm të Gjykatës. Veprimtarja serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandic e ka vlerësuar atë si dështim të gjykatës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi tha se dënimi i sotëm dëshmon për një vetëdijesim institucional dhe qytetar në Serbi, por ky gjykim, thotë ai, nuk është hap i mjaftueshëm. “Është një sinjal i mirë se drejtësia po fillon të funksionojë. Ne u besojmë organeve të drejtësisë të cilit do shtet demokratik. Ky është një sinjal se duhet të fillojnë edhe shumë gjykime të tjera në Serbi, që ka edhe shumë individ të cilët enden lirshëm në territorin e Republikës së Serbisë, të cilët në prapavijë e tyre kanë me mijëra krime të kryera në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit. Unë besoj se shteti serb, në veçanti popullata serbe do të vetëdijesohet dhe të kuptojë se bërja e krimit ndaj të tjerëve do të jetë e dënueshme dhe dënimi duhet të vije nga vet populli i tyre, sepse vetëm ndjenja e pendimin e krijon mundësinë e rehabilitimit të marrëdhënieve ndëretnike në rajon, por mbi të gjitha të mos dhënies së mundësisë për përsëritjen e veprimeve të tilla”.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përfundim e procesit gjyqësore për vrasjet në Suharekë e quan hap të mirë në përpjekjet për ta rivendosur drejtësinë, por thotë se është hap i vogël drejt shpagimit për viktimat. “Me këtë gjykim së paku është dëshmuar se aty është kryer një krim, është dëshmuar se ata persona janë përgjegjës për krimin e kryer, mirëpo është një mungesë e madhe sepse këtu po shkëputet zinxhiri komandues. Pra, për një vepër po dënohen vetëm ekzekutuesit e thjeshtë ndërkaq përgjegjësit, qoftë ushtarak, policorë apo politik po mbesin të pa dënuar, po amnistohen”.

Ky është rasti i dytë që Gjykatat serbe shpallin dënime për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG