Lidhje

SHBA: Deklarohet emergjencë e shëndetit publik gripi i derrave


Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar një emergjence të shëndetit publik, në përgjigje të rasteve me gripin e derrave.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Xhenet Napolitano tha sot se ky veprim i lejon autoriteteve që të vënë në dispozicion fondet dhe rezervat e barnave anti-virale.

Drejtori në detyrë i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Riçard Beser thotë se deri tani 20 raste të gripit të derrave janë konfirmuar në pesë shtete amerikane. Zyrtarët thanë se presin që të shohin edhe raste të tjera infektimi.

Në Meksikë, Ministri meksikan i Shëndetësisë thotë se gripi i derrave mund të jetë shkaktar për vdekjen e 81 personave dhe sëmundjen e mbi 1 mijë e 300 të tjerëve në vend.

Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë i Zelandës së Re tha sot se 10 studentë që kishin vizituar Meksikën kohët e fundit mund të jenë infektuar me këtë virus.

Në Spanjë, Ministria e Shëndetësisë ka vënë tre persona në izolim pasi kanë shfaqur simptoma të virusit pas një udhëtimi në Meksikë. Në Francë të paktën dy vetave u janë bërë analizat.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e deklaroi virusin një emergjencë për shëndetin publik dhe një shqetësim ndërkombëtar, me mundësinë për t’u shndërruar në epidemi botërore. //ek

XS
SM
MD
LG