Lidhje

SHBA: Promovohet libri i Balliut "Zonja e zezë Nexhmije Hoxha"


Shkrimtari dhe gazetari shqiptar Fahri Balliu promovoi në Uashington botimin në anglisht të librit të tij “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, ku përfshihen disa nga historitë më të fshehta të kësaj gruaje që sipas librit ishte “shpesh ideatorja dhe drejtuesja e vrasjeve dhe persekutimeve të shumë intelektualëve shqiptarë gjatë kohës së komunizmit”. Pushteti i kësaj zonje të zezë, thotë autori i libri, ndihet ende sot, që ajo vazhdon të ushtrojë, në mënyrë indirekte, ndikimin e saj në politikën shqiptare.


Gjatë prezantimit të librit në Klubin Kombëtar të Shtypit, autori Fahri Balliu e cilësoi bashkëshorten e ish-diktatorit komunist shqiptar Enver Hoxha jo vetëm si pjesë e makinerisë vrasëse të asaj kohe, por edhe si ideatore të saj.

“Në themel të kësaj beteje gjaku ishte zonja Hoxha.” - tha zoti Balliu

Diktatura e ushtruar nga familja Hoxha ishte diktaturë familjare, ku si fasadë përdorej partia komuniste. Enver Hoxha ishte një nga diktatorët më të egër ndër regjimet komuniste të lindjes.

“Ky njeri ka vrarë vetëm bashkëkombas, vetëm shqiptarë.” - tha ai

Komunizmi në Shqipëri ishte ndër regjimet më të egra të para ndonjëherë, thotë Eduard Preola, drejtor i marrëdhënieve me publikun nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit.

“Qeveria komuniste në Shqipëri ishte një nga regjimet më mizore që kemi parë. Praktika komuniste në Shqipëri ishte e paprecedent si nga mizoria ashtu edhe nga përqindja e viktimave.”

Zoti Balliu thotë se këto krime duhen bërë të njohura për të mos harruar të kaluarën dhe për të shmangur rikthimin e rrezikut të së keqes.

Për autorin, Fahri Balliu, ishte pikërisht kjo arsyeja që e kishte nxitur atë, në radhë të parë, ta shkruante librin. Libra të tjerë si ky, duhen shkruar, lexuar dhe përhapur, për t’u kujtuar njerëzve historinë dhe fatin e keq të viktimave të komunizmit. Xhon Kornaki është profesor në Universitetin Xhorxh Uashington dhe Xhons Hopkins.

“Ne harrojmë sa mizore, sa tirane, është fytyra e vërtetë e komunizmit. Ne e harrojmë këtë.”

Zoti Balliu thotë se edhe pas ribotimit të librit të tij për Nexhmije Hoxhën në gjuhë të huaja, reagimet në Shqipëri kanë qenë të shumta.

“Ka pasur sulme të natyrave të ndryshme. Ka pasur sulme drejtpërdrejt nga ajo ku më ka përfshirë mua, ndonjë figurë politike të kohës dhe shkrimtarin Kadare, por sigurisht që kemi ditur t’i përgjigjemi me gjuhën e së vërtetës.”

Për sa u përket të dhënave të botuara në shtypin shqiptar në lidhje me përfshirjen e vajzës së tij si aksionere në një nga firmat e Mihal Delijorgjit, i pandehur në çështjen e Gërdecit, zoti Balliu shpjegon se akuzat nuk kanë asnjë bazë ligjore.

“Një nga familjarët e mi ka firmosur ndër pesë aksionerët e një kompanie për gërmim dheu të marrë 20 përqind. Por që nga momenti i firmosjes, nuk ka asnjë veprim financiar dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë kompani.”

Zoti Balliu mendon se zonja Hoxha qëndron edhe pas këtyre sulmeve.

“Sigurisht që kjo ishte një nga sulmet që plotësoi onturazhin e të gjitha goditjeve që donte të jepte kjo zonjë. Sulmi u organizua edhe në kuadër të fushatës elektorale që po afrohet, meqenëse unë jam drejtues i Gazetës 55, e cila njihet për komentet ndaj së kaluarës komuniste dhe lidhjet e së majtës me të, çka përbëjnë qartë një shenjestër politike.”

Libri i Fahri Balliut, “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” është zgjedhur nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit si libër që do të përfshihet në muzeun botëror të librave për viktimat e komunizmit në internet e cila hapet me16 qershor ku do të marrë pjesë edhe vetë autori.//mm//

XS
SM
MD
LG