Lidhje

Përvjetori i aksidentit të Çernobilit


Më 26 prill të vitit 1986 ndodhi katastrofa më e rëndë e energjisë bërthamore në botë, në uzinën e Çërnobilit në Ukrainë. Radiacioni nga shpërthimi i reaktorit u përhap në Evropën veriore dhe qëndrore. Aksidenti shkaktoi krijimin e një zone të ndaluar prej 30 kilometrash përreth Çërnobilit, duke mbyllur qytezën e ndërtuar për punonjësit dhe familjet e tyre. Megjithë izolimin e betonuar të reaktorit të shkatërruar, në 23 vjetorin e katastrofës, uzina vazhdon të mbetet edhe sot burim i radioaktiviteti.

Pripiat i Ukrainës është një qytet i vdekur. Shtëpitë, shkollat, këndet e lojrave po humbasin, ndërsa natyra rimerr vendin e saj.

Pripiat kishte dikur 50 mijë banorë. Tani ata kanë ikur, ndoshta përgjithmonë. Vetëm artifaktet e jetëve të tyre mbeten pas, të mbuluara nga pluhuri.

Pripiati u fshi pas aksidentit më vdekjekrurës bërthamor në historinë botërore, Çërnobilit.

Mëngjesin e 26 prillit të vitit 1986, reaktori i njësisë 4 në Çernobil u vu në një provë eksperimentale për sistemin e tij të ftohjes. Reaktori u nxeh dhe shpërtheu nga trysnia e avullit, duke hequr çatinë e centralit.

Radioaktiviteti bërthamor doli në ajër. Ndërsa njerëzit flinin, ai u përhap në Pripiat, në veri të Çernobilit.

Në reaktorin 4, karburanti bërthamor dhe grafiti që e rrethonte shpërtheu në flakë. Autoritetet dërguan helikopterë që fluturonin mbi reaktorë për të hedhur rërë dhe materiale të tjera për të ndaluar zjarrin. Por ai vazhdoi për ditë të tëra.

Era që mbarte grimca radioaktive nga zjarri i përhapi ato në një zonë të gjerë, në Ukrainë, Bjellorusi dhe Rusi. Më pas në Ishujt Skandinav, Britani dhe pjesë të tjera të Evropës. Ndërsa era ndryshonte drejtimin, të njëjtën gjë bënte edhe radiacioni.

Më në fund, gati një ditë e gjysmë pas shpërthimit, u urdhërua evakuimi i Pripiatit. Njerëzve iu tha të largoheshin vetëm për disa ditë, kështu që ata lanë çdo gjë pas, për të mos u kthyer më.

Megjithë përhapjen e gjerë të radiacionit, zyrtarët sovjetikë në fillim folën shumë pak për atë që ndodhi në Çërnobil. Shumë njerëz u besonin më shumë udhëheqësve të tyre sesa njoftimeve nga jashtë për katastrofën.

Ishin në fakt dedektorët e radiacionit në vende të tjera, qindra kilometra larg që detyruan sovjetikët të pranonin aksidentin e Çërnobilit.

Mijëra vetë u dërguan në Çërnobil për të pastruar mbeturinat nga shpërthimi. Ata ndërtuan gjithashtu një strukturë për të mbuluar reaktorin e dëmtuar dhe karburantin e tij radioaktiv. Pajisjet e punonjësve u ndotën kaq shumë saqë duhet të hidheshin. Punonjësit vetë u ndotën, shumë prej tyre u sëmurën.

Qeveria sovjetike tha se të paktën 31 viktimat në centralin e Çërnobilit ishin të lidhura drejtpërdrejt me shpërthimin e reaktorit. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se 2 mijë e 200 vjekje të tjera mund të priten nga ata që morën pjesë në pastrimin e centralit. Raporti i organizatës shton se në total, Çërnobili mund të ketë 4 mijë fatalitete nga kanceri dhe sëmundje të tjera.

Radioaktiviteti i detyroi zyrtarët të krijojnë një zonë të pabanuar 30 kilometra përreth Çërnobilit, duke mbyllur Pripiatin. Megjithatë centrali vazhdoi të prodhonte energji derisa më në fund u mbyll në dhjetor të vitit 2000.

Reaktorët RBMK në Çërnobil nuk ishin të mbyllur në struktura betoni siç është standart në perëndim. Në agjencinë për Energjinë Bërthamore në Vienë, Drejtori i Sigurisë së Instalimeve Bërthamore, Filip Jamet thekson rëndësinë e këtij procesi.

"Strukturat e betonit janë një nga pengesat kryesore. Ne duhet të mbrojmë ambjentin dhe njerëzit nga radioaktiviteti në rast të një aksidenti."- thotë ai

Rusia ende operon reaktorë të tipit të Çërnobilit. Aksidenti më i rëndë bërthamor në historinë e Shteteve të Bashkuara në Ishullin Three Mile në Pensilvani në 28 mars të vitit 1979 nuk pati viktima dhe kishte një ndikim shumë më të vogël në zonat përreth. Reaktori i mbrojtur me stukturë betoni mbetet i padëmtuar pavarësisht një shkrirje të pjesshme të karburantit bërthamor.//mm//

XS
SM
MD
LG