Lidhje

100 ditët e para: Obama dhe politika ndaj Lindjes së Mesme


Presidenti Barak Obama e ka bërë dialogun me Lindjen e Mesme një përparësi në këto muajt e parë të tij në Shtëpinë e Bardhë. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Paula Ulfson, ndërsa administrata Obama i afrohet 100 ditëve të saj të para, udhëheqësit e rajonit po vlerësojnë rezultatet e kësaj nisme të re.

Mbreti Abdullah i Jordanisë është njëri ndër aleatët më të fuqishëm të presidentit amerikan në Lindjen e Mesme.

Dy udhëheqësit lidhën miqësi vitin e kaluar gjatë vizitës së zotit Obama në rajon ndërsa ai ishte ende kandidat në zgjedhjet presidenciale. Po ashtu mbreti jordanez vizitoi Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar. Kjo vizitë ishte fillimi i një cikli të diplomacisë personale të presidentit Obama me synimim për të rifilluar procesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Para se të largohej nga Uashingtoni, mbreti Abdullah dha një intervistë në pogramin “Meet the Press” të televizionit NBC.

Ai tha se mesazhi i presidentit Obama për politikat e angazhimit janë pritur shumë mirë në Lindjen e Mesme.

“Ku do që të shkosh dhe çdo udhëheqës i Lindjes së Mesme me të cilin kam biseduar thotë se presidenti Obama sjell shpresë.”

Mbreti Abdullah tha se i ka kërkuar presidentit Obama të përqendrohet në mosmarrëveshjen izraelito-palestineze. Sipas tij kjo çështje është thelbësore në zgjidhjen e problemeve të tjera në rajon.

“Në se nuk e zgjidhim thelbin e çështjes izraelito-palestineze, sfidat izraelito-arabe, atëherë ne gjithmonë do të jemi një rajon i paqendrueshëm,” tha mbreti jordanez.

I pyetur për nismën e zotit Obama për të biseduar me Iranin, Mbreti Abdullah tha se Teherani nuk duhet të tregohet indiferent.

“Unë mendoj se gjesti i presidentit Obama për dialog nuk duhet të merret nga Irani si diçka që i takon.”

Por, përgjigja e presidentit të Iranit ka qenë e paqartë.

Të dielën, në një interviste dhënë programit televiziv “This Week” të rrjetit ABC, zoti Mahmud Ahmadinexhad tha se qeveria e tij po punon rreth një propozimi për bisedime. Por ai nuk pranoi të thotë se kur do të jetë gati ky propozim ose çfarë do të përmbajë ai.

“Ne mendojmë se duhet të përgatisim terrenin në mënyrë që të gjithë vendet dhe njerëzit të mund të thonë fjalën e tyre,” tha presidenti iranian përmes një përkthyesi.

Presidenti Ahmadinexhad po ashtu mbrojti komentet e tij të së hënës para konferencës së OKB-së në të cilën ai e quajti Izraelin si regjimi më i ashpër dhe më racist në botë. Përfaqësuesit e vendeve perëndimore u laguan nga salla në shenjë proteste dhe zoti Obama i dënoi këto komente.

Që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama i ka bërë disa propozime Iranit si pjesë e politikës së afrimit me botën myslimane. Muajin e kaluar, përmes një interviste të regjistruar, ai i dërgoi një mesazh popullit iranian me rastin e vitit të ri persian.

Komentet e presidentit Ahmadinexhad gjatë intervistës dhënë programit televiziv ABC nuk bënë gjë tjetër veçse i shtuan paqartësitë e përgjigjes nga ana e udhëheqsve iranianë. Ka shenja se administrata Obama po pret të mësojë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të Iranit, të cilat do të mbahen në qershor. //ii

XS
SM
MD
LG