Lidhje

Shqipëria dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian


Shqipëria hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt Bashkimit Europian. Në Pragë, kryeministri Sali Berisha dorëzoi sot kërkesën anëtarësim. Në një ceremoni të zhvilluar përpara godinës së qeverisë çeke, në prani edhe të drejtorit për Zgjerimn në Komisionin Europian, Michael Leigh kryeministri Berisha ja dha zyrtarisht kërkesën homologut të tij çek Mirek Topolanek i cili drejton edhe presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Kryeministri Berisha foli për një moment historik për shqiptarët të cilët sic tha ai e konsiderojnë anëtarësimin në Be si projektin më të shkëlqyer për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ky akt tha zoti Berisha shënon edhe rikthimin e Shqipërisë në familjen e kombeve europiane. Kreu i qeverisë shqiptare dha garanci për angazhimin e shqipërisë për të ecur përpara në këtë proces: "Shqipëria e merr këtë moment si një obligim të madh dhe e konsideron këtë si një proces, i cili duhet dhe do të jetë totalisht i bazuar në arritje, por ai është një motivim i madh i qeverisë dhe kombit tim për të punuar për këtë projekt historik".

Procesi i ri në të cilin Shqipëria hyn do të kërkojë disa faza. Ashtu sic dhe konfirmoi kryeministri Topolanek, shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë nuk pritet të bëhet brenda presidencës ceke, por gjatë presidencës së ardhshme suedeze, në gjysmën e dytë të vitit.

Kjo sepse, megjithë vullnetin e mirë të Çekisë, rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Topolanek e ka dobësuar shumë presidencën e këtij vendi, por nga ana tjetër dhe më së shumti, kërkesa e shqipërisë është lidhur tashmë nngushtë me zgjedhjet e qershorit, të cilat sic theksoi edhe drejtori për zgjerimin, Micheal Leigh, janë një kusht kyç: "Sot Shqiperi ka realizuar një gur kilometrik historik duke dëshmuar kështu përkushtimin e rëndësishëm të vendit ndaj vlerave dhe parimeve themeltare europiane. I takon këshillit të vendosë për më tej. Komisioni është i gatshëm të përgatisë atë që quhet opinion për aplikimin e Shqipërisë nëse këshilli na fton ta bëjmë këtë. Eshtë tashmë në dorë të Shqipërisë të futet në një fazë të re të integrimit europian duke përmirësuar në vecanti sundimin e ligjit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të lira e të ndershme në qershor mbetet një kusht kyç".

Që këshilli të kërkojë të hap procedurat dhe të kërkojë opinionin e Komisionit vendimi duhet të merret në unanimitet. Për të hartuar më pas opinionin komisioni do i dërgojë qeverisë shqiptare një pyetësor prej afër 100 faqesh për të cilat Shqipëria duhet të japë përgjigjet e saj. Në rast të një opinioni pozitiv këshilli i Bashkimit Europian sërish duhet të marrë një vendim po në unanimitet. Një procedurë që pritet të kërkojë të paktën nga një vit e gjysëm deri dy vjet.

XS
SM
MD
LG