Lidhje

Shqipëri: Banka Qendrore kërkon rishikimin e planeve buxhetore


<!-- IMAGE -->

Banka Qendrore e Shqipërisë i bëri thirrje qeverisë të rishikojë shpenzimet e planifikuara buxhetore, sepse kriza ekonomike boterore po ndikon edhe në ekonominë e vendit. Ndonëse nuk e lëvizi normën bazë të interesit, këshilli mbikqyrës i Bankes, theksoi se në muajt e parë te këtij viti u shfaqën shenjat e mungesës së parasë dhe kredive.

Banka Qendrore e Shqipërisë u kërkoi autoriteteve shtetërore që të bëjnë kujdes të vazhdueshëm për të ruajtur stabilitetin financiar, krahas stabilietit makro-ekonomik të vendit.

Këshilli mbikëqyrës i Bankës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit bankar, megjithatë analizoi me kujdes zhvillimet e tremujorit të parë, duke vërejtur se shenjat e krizës ekonomike botërore po ndikojnë gjithnjë e më fort në ekonominë e vendit.

Banka e Shqipërisë deklaroi me këtë rast se e sheh si të domosdoshme që qeveria të rishikojë shpenzimet e planifikuara, duke bërë korrigjimet sipas përparësive.

Deficiti buxhetor është mbuluar nga privatizimet dhe bankat kanë hezituar të financojnë nevojat e qeverisë për fonde.

Statistikat zyrtare dëshmojnë për një rënie të shkëmbimeve tregtare me botën. Më shumë kanë rënë eksportet, dhe deficiti tregtar është ngushtuar. Gjatë muajve janar dhe shkurt ranë ritmet e kreditimit për ekonominë gjë që solli edhe një ngadalësim të kërkesës për para.

Banka qendrore vlerëson se edhe këtu kanë rënë njëkohësisht edhe kërkesa për kredi edhe gadishmëria e bankave për t’i miratuar ato.

Banka Qendrore deklaroi nga mbledhja e këshillit mbikëqyrës se ngjarjet ekonomike dhe financiare në Shqipëri po zhvillohen në një mjedis të paqëndrueshëm botëror si për kohëzgjatjen e krizës ashtu edhe për përmasat e shtrirjes së saj.

Në dy muajt e parë të vitit, ritmet vjetore të kreditimit ranë ndjeshëm dhe ngadalësimi i kredive mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend.

Guvernatori i Bankës Qendrore Ardian Fullani, thotë se inflacioni është nën kontroll dhe janë ndalur presionet inflacioniste. Sipas tij, në varësi nga kriza ekonomike botërore, edhe rritja ekonomike e Shqipërisë do të ngadalësohet gjatë këtij viti.

Këshilli mbikëqyrës i Bankës vlerësoi në mbledhjen e fundit se Zhvillimet ekonomike në nivel botëror pritet të japin ndikimin e tyre edhe në ecurinë ekonomike në vend. Ekonomia shqiptare është integruar në tregjet financiare evropiane, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me vendet e Eurozonës zenë një peshë të konsiderueshme në prodhimin e përgjithshëm. //ii

XS
SM
MD
LG