Lidhje

NATO-ja urdhëron dëbimin e dy diplomatëve rusë


Natoja ka dhënë urdhër për dëbimin e dy diplomatëve rusë që punojnë në selinë e Aleancës në Bruksel, në përgjigje të një skandali për spiunazh, nga i cili u dënua me 12 vjet burgim një zyrtar estonez.

Një gjykatë e Estonisë e shpalli zyrtarin estonez Herman Sim fajtor për tradhëti në shkurt pasi i kishte dorëzuar 2 mijë faqe informacion Shërbimit të Jashtëm rus. Ai punonte për Ministrinë Estoneze të Mbrojtjes, ku kalonte në duar dokumenta sekrete.

Ambasadori i Rusisë në Nato, Dimitri Rogozin tha se zyrtarët e Aleancës e kishin informuar dje mbi vendimin e tyre. Ai e cilësoi vendimin si të pabazë dhe shtoi se Rusia nuk do të bjerë pré e provokimeve, por do të përgjigjet ashpër dhe me vendosmëri.

Ai i identifikoi dy diplomatët si Viktor Korçakov dhe Vasili Chizhov, djali i ambasadorit të Rusisë në Bashkimin Evropian.//mm//


XS
SM
MD
LG