Lidhje

Shqipëri: Prokuroria ngre pistat e hetimit për vrasjen e deputetit


Në Shqipëri, prokuroria ngriti më në fund disa pista hetimi për shkaqet e vrasjes me armë zjarri të deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi.

Pas një mbledhjeje që zgjati mbi 5 orë në prokurorinë e qytetit të Fierit, pjesmarrës të takimit thanë për mediat se hetuesit kanë paraqitur 4 pista hetimi, të cilat nuk mund të bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.

Në mbledhjen e prokurorisë së Fierit mori pjesë edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, si dhe hetuesit dhe prokurorët më të njohur të vendit.

Janë kryer gjithashtu një seri analizash të gëzhojave dhe materialeve të tjera që janë mbledhur në vendngjarje.

Deputeti i Partisë Socialiste të opozitës, Fatmir Xhindi, u vra të shtunën në mbrëmje nga të shtënat me armë automatike të personave të panjohur, ndërsa po afrohej në banesën e vet në afërsi të Fierit, 150 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit.

Ngritjes së pistave të hetimit iu bashkua edhe një shperblim i policisë prej 250 mijë euro për këdo që jep informacion mbi autorët e vrasjes.

Zoti Xhindi u varros të dielën me ceremoni mortore të posaçme në vendlindjen e tij, në Kurjan të Fierit. Në ceremoni merrnin pjesë një numër i madh banorësh dhe politikanësh. //kk//

XS
SM
MD
LG