Lidhje

Obama pritet të përmirësojë marrëdhëniet me botën myslimane


Edhe para inaugurimit në muajin janar, Barak Obama, u shpreh se do të vendoste marrëdhënie të reja me botën myslimane, bazuar në interesat dhe respektin reciprok. Që kur mori detyrën e presidentit, vendimet që ai ka marrë, si mbyllja e Qendrës së Ndalimit në Guantanamo brenda një viti dhe ndalimi i teknikave të ashpëra të hetimit ndaj të ndaluarave, janë mirëpritur nga bota myslimane.Por analistët thonë se përmirësimi i këtyre marrëdhënieve mund të varet në aftësinë e Presidentit për arritjen e një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ashtu siç premtoi, zoti Obama iu drejtua botës myslimane në fillim të presidencës së tij. Ai foli në parlamentin e Turqisë në muajin prill.

"Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë në luftë me Islamin”, - tha ai.

Ky fjalim u vlerësua, se pati një ton shumë të ndryshëm nga ai i administratës Bush.

Por disa amerikanë myslimanë janë skeptikë, nëse do të ketë me të vërtetë ndonjë ndryshim.

Ibrahim Huper është drejtor i komunikimit në Qendrën e Marrëdhënieve Amerikano-Islamike.

"Retorika është e mirë por ne presim veprime, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe atë kombëtar, për të bërë ndryshime reale në politikë, që do të kishin ndikim të dukshëm në jetën e myslimanëve amerikanë dhe myslimanëve në gjithë botën”, - tha ai.

Në 100 ditët e tij të para në detyrë, presidenti ka vënë në zbatim politika që prekin drejtpërdrejt botën myslimane.

Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mbylljen e burgut Guantanamo brenda një viti dhe ndaloi përdorimin e teknikave të ashpëra të hetimit.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se është e gatshme të zhvillojë bisedime me Iranin për programin e tij bërthamor, një ndryshim i qartë ky me politikën e administratës Bush.

Lidhur me Irakun, presidenti ka thënë se do të respektojë premtimet e tij për t’u dhënë fund operacioneve luftarake deri në fund të vitit tjetër. Ai po ndryshon edhe fokusin e operacioneve, duke i përqendruar ato në Afganistan, duke dërguar përforcime për trupat amerikane atje.

Por prova përfundimtare e Presidentit Obama për myslimanët mund të jetë konflikti izraelito-palestinez. Presidenti është parë sikur anon nga Izraeli dhe se nuk është angazhuar shumë në procesin e paqes. Emërimi i George Mitchell-it si i dërguar i posaçëm në Lindjen e Mesme u mirëprit me rezerva nga bota arabe.

Por disa thonë se shanset për arritjen e një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga amerikanët varet nëse administrata Obama është e predispozuar të braktisë qendrimin e zotit Bush ndaj Hamasit që qeveris Rripin e Gazës. Xhon Esposito, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve islamike në Universitetin "Georgetown" argumenton:

"Në qoftë se dikush anashkalon Hamasin për të favorizuar Presidentin Mahmud Abaz, kjo do të linte përshtypjen e një standardi të dyfishtë, që do të thoshte se ne nuk njohim zgjedhjet demokratike, por njohim vetëm atë qeveri që ne miratojmë. Shpresoj që Obama të mos ndjekë këtë rrugë”, - tha ai.

Izraeli refuzon të merret me Hamasin, sepse ky grup nuk e njeh shtetin hebre dhe nuk e ka dënuar dhunën.

Kohët e fundit, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, u shpreh për mundësinë e një qeverie uniteti, që do të përfshinte edhe Hamasin, një argument që zemëroi shumë ligjvënës amerikanë pro-izraelitë.

Shtëpia e Bardhë ka ftuar udhëheqësit izraelitë, palestinezë dhe egjiptianë për bisedime. Aftësia e administratës për t’i ndihmuar palët në arritjen e një zgjidhjeje me dy shtetet ka të ngjarë ta përmirësojë pozitën e Amerikës në botën myslimane.//lk


XS
SM
MD
LG