Lidhje

SHBA do t’i kërkojë Pakistanit të vazhdojë luftën ndaj kryengritësve


Zyrtarët amerikanë thonë se Presidenti amerikan Barak Obama do t'i kërkojë Presidentit pakistanez Asif Ali Zardari këtë javë që të vazhdojë përpjekjet për mposhtjen e kryengritësve Talebanë për të mos lejuar që ekstremistët të kërcënojnë sigurinë e vendit dhe arsenalin bërthamor. Presidenti Obama pritet ta takojë udhëheqësin pakistanez si edhe Presidentin afgan Hamid Karzai të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas do të mbajë një takim të nivelit të lartë me të dy ata së bashku lidhur me sigurinë rajonale.

Zyrtarët amerikanë e vlerësojnë qeverinë pakistaneze për ofensivën e ditëve të fundit kundër Talebanëve. Por ata thonë se administrata e Presidentit Obama do të vazhdojë t'i kërkojë me këmbëngulje zotit Zardari të marrë masa për të parandaluar atë që një zyrtar e quajti "skenari i frikshëm" dhe që do të ishte marrja nën kontroll e armëve apo objekteve bërthamore nga militantët.

Komentet u bënë në prag të vizitës së zotit Zardari në Uashington për takime me rëndësi vendimtare në Shtëpinë e Bardhë, ku do të përfshihet edhe presidenti afgan Hamid Karzai.

Alarmi në Shtetet e Bashkuara për gjendjen në Pakistan u rrit në shkurt kur një marrëveshje paqeje mes Islamabadit dhe militantëve Islamikë në Luginën Suat në veri të kryeqytetit u pasua nga një përpjekje e kryengritësve për të marrë nën kontroll distriktet përreth.

Ushtria pakistaneze ndërmori një ofensivë për të zmbrapsur ekstremistët pasi Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton akuzoi Islamabadin muajin e kaluar se po i toleronte Talebanët.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Robert Ud shprehu dje besimin se autoritetet pakistaneze e kishin marrë mesazhin se rreziku ishte shumë serioz por tha se zoti Zardari do ta dëgjojë këtë mesazh përsëri në Uashington.

"Është e rëndësishme që t'u bëhet ballë këtyre ekstremistëve. Qeveria dhe ushtria pakistaneze e kuptojnë se sa i madh është rreziku dhe po marrin hapa ta elimojnë atë. Dhe ne duhet të vazhdojmë t'i inkurajojmë ata që të vazhdojnë t'i intensifikojnë përpjekjet, sepse ky është një kërcënim ndaj ekzistencës së qeverisë së Pakistanit".

Gazeta The New York Times njoftonte dje se zyrtarët amerikanë janë gjithnjë e më të shqetësuar për sigurinë e arsenalit bërthamor të Pakistanit për shkak të kryengritjes që po zgjerohet, përfshirë mundësinë që ekstremistët mund të shtien në dorë një armë që po kalon tranzit, ose të depërtojnë në objekte bërthamore.

Por lidhur me këtë çështje, zëdhënësi Robert Ud përsëriti komentet e admiralit Majkëll Mullen, shef i Shtatmadhorisë, duke thënë se ka besim që armët bërthamore në Pakistan janë të sigurta.

"Ne kemi besim që arsenali bërthamor i Pakistanit nuk do të bjerë në duart e ekstremistëve. Komanda dhe kontrolli i këtij arsenali bërthamor është një përparësi kryesore për qeverinë e Pakistanit. Dhe Pakistani ka bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Ka ligje për kontrollin e eksportit. Kështuqë nuk jemi të shqetësuar në këtë drejtim".

Zoti Ud tha se siguria përreth armëve bërthamore të Pakistanit është e fortë. Ai tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë diskutimi brenda qeverisë amerikane për ndonjë ndërhyrje të mundshme të Shteteve të Bashkuara në Pakistan nëse kryengritësit përbëjnë kërcënim për objektet bërthamore.//kk//

XS
SM
MD
LG