Lidhje

Sekretari Gejts vazhdon turneun në vendet arabe


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts u takua në Kajro me presidentin egjiptian Hosni Mubarak gjatë një vizite që synon për të siguruar aleatët se përpjekjet e Uashingtonit për përmirësimin e marrëdhënieve me Iranin nuk dëmtojnë lidhjet prej shumë kohësh të Amerikës me vendet arabe.

Sekretari Gejts i tha presidentit Mubarak se Shtetet e Bashkuara do të tregohen të hapura e transparente rreth kontakteve me Iranin dhe do t'i mbajnë aleatët të informuar gjatë gjithë këtij procesi.

Sekretari Gejts tha gjithashtu se idea se Uashingtoni mund t'i bëjë ndonjë lëshim Teheranit ishte jorealiste dhe nuk duhet të jetë arsye për shqetësim në rajon.

Gjatë udhëtimit të tij me aeroplan për në Egjipt dje, sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts u tha gazetarëve se çdo përqasje e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit do të shtojë sigurinë për mbarë rajonin, dhe jo vetëm për Shtetet e Bashkuara.

Sekretari Gejts tha se ndërkohë që administrata amerikane dëshiron marrëdhënie të mira me Iranin, zyrtarët do të tregohen realistë nëse Irani nuk pranon të ndryshojë.

XS
SM
MD
LG