Lidhje

Ekonomia në 100 ditët e para të administratës Obama



Siç ka thënë presidenti Obama, ai ka trashëguar një situatë tepër të vështirë ekonomike nga administrata e mëparshme. Që nga dita e parë në detyrë, Presidenti jo vetëm që u zotua se do ta bënte ekonominë përparësinë e tij kryesore, por ka premtuar se do ta përmirësojë atë.

Zoti Obama solli në Shtëpinë e Bardhë mesazhin e shpresës për ditë më të mira, në një kohë kur Amerika po kalonte krizën më të vështirë ekonomike që pas kohës së Depresionit të Madh.

"Që nga dita e sotme duhet të fillojmë nga a para për ta bërë Amerikën edhe më të mirë”.

Por 100 ditë më pas, Shtetet e Bashkuara mbeten të prekura nga recesioni dhe papunësia gjithnjë e në rritje dhe kritikët thonë se përpjekjet e Presidentit nuk po prekin nevojat afatgjate të vendit.

"Do t’i jepja një vlerësim të përzier punës së Presidentit gjatë këtyre 100 ditëve, mbase ka patur më shumë gjëra negative, sesa pozitive”.

Allen Viard, studiues i institutit konservator “American Enterprise” thotë se në bazë të buxhetit 3,5 miliardë dollarësh, të ardhurat e qeverisë nuk do të mund të ekuilibrohen dot nga rritja në shpenzimet për pensionet dhe përkujdesjen shëndetësore. Dhe, siç thotë ai, plani i stimulimit i administratës, i cili përshin shkurtime taksash për shtresat e mesme, do ta ndihmojë ekonominë vetëm në një periudhë afatshkurtër.

"Nga do të vijnë gjithë këto para për shkurtimin e taksave? Ato nuk mund të vijnë nga ajri. Në të vërtetë taksat e brezave të ardhshëm do të sigurojnë paratë për këto shpenzime dhe fëmijët tanë do t’i paguajnë ato”.

Por, mbështetësit e Presidentit thonë se problemet e vendit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Ka nga ata që thonë se është ende herët të thuhet, nëse politikat e zotit Obama do të kenë sukses. Por analisti Xhoshua Piker në Qendrën Amerikane për Progres është i bindur se Presidenti është në rrugën e duhur.

"Duket se shitjet dhe shpenzimet e konsumatorëve po shtohen dhe në të njëjtën kohë ka hapa inkurajuese në tregun e shtëpive. Por, ka ende shumë për të bërë”.

Ndërsa ai pranon se politikat e Presidentit nuk janë perfekte, ai thotë se puna që po bën zoti Obama sa i përket ekonomisë si brenda dhe jashtë vendit, i ofron amerikanëve diçka të menjëhershme-optimizmin.

"Besoj se Presidenti ka bërë një punë të jashtëzakonshme në gjetjen e problemeve. Them se koha do ta tregojë, nëse të gjitha masat e marra deri tani do të jenë aq të efektshme sa duam ne, por mund të them se jam optimist.”

Ndaj dhe në këto 100 ditë të mandatit presidencial, optimizmi duket se po vihet në provë për shkak të realitetit të ekonomisë.//rd//

XS
SM
MD
LG