Presidenti Barak Obama bëri të ditur një sërë propozimesh për shkurtime buxheti, që kapin shifrën e 17 miliardë dollarëve.
Sot në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se qeveria nuk mund të vazhdojë të shpenzojë me indiferencë, sikur deficiti nuk ka rëndësi dhe humbjet nuk janë problem.
Shtëpia e Bardhë publikoi një listë me 121 programe federale që do të shkurtohen ose eliminohen në kuadër të buxhetit të vitit të ardhshëm. Zoti Obama tha se shkurtimi i këtyre programeve do të bëjë që të ketë fonde për programe të tjera me më shumë përparësi.
Propozimet për shkurtime janë vetëm një pjesë e vogël e projekt-buxhetit të presidentit Obama prej 3,5 trilion dollarësh për vitin 2010.
Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner tha se republikanët kërkojnë më shumë shkurtime në buxhet. Rreth gjysma e shkurtimeve janë bërë në programet e mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër nga programet e brëndshme.