Lidhje

Industria e automobilëve në kërkim të mjeteve ekonomike


Gjigandi gjerman i automobilëve, BMW po ndërton një automjet të ri, të konceptuar ndryshe nga ai tradicional. CLEVER ka bashkuar sigurinë që ofron vetura dy vendëshe me aftësitë lëvizëse të motorçikletës. Inxhinierët nga universiteti Bath në Angli janë duke testuar një prototip të makinës, bashkëpunim shkencor ky mes inxhinierëve nga Britania, Gjermania, Franca dhe Austria.

Për të menjanuar paqendrueshmërinë e triçiklit, automjeti ndryshon pozicionin ndërkohë që futet në kthesë. Mekanizmi lëvizës hidraulik kontrollohet nga një mikroprocesor që përllogarit shpejtësinë e veturës me këndin e kthesës. Kjo mund ta pozicionojë makinën rreth 45 gradë në të dy anët.

E ndërtuar si një veturë kompakte ekonomike për përdorim në qytet, emri CLEVER është shkurtim për Veturë Kompakte me Ndotje të Vogël për Transportin Urban. Vetura ka një motor të modifikuar C1. Inxhinierët synojnë përdorimin e 1,7 kilogramëve gaz të kompresuar për 100 kilometra që kap shifrat e rreth një euro për 100 kilometra.

Në Lion, Instituti Fraçais du Petrole po teston një prototip krejt ndryshe. Një veturë me gaz natyror çliron shumë më pak dioksid karboni sesa veturat e zakonshme. E kombinuar me peshën e vogël që ka, kjo nënkupton se CLEVER ka ndikim më të vogël ndotës.

Pavarësisht se synimi ishte kostoja dhe ndotja, ata nuk neglizhuan edhe faktorët e sigurisë. Vetura ka një kafaz mbrojtës dhe vjen me jastëk ajri.Vetura kap një shpejtësi prej afro 100 kilometra në orë dhe me një gjerësi prej më pak se një meter ajo është mjet ideal për përdorim në qytet.

BMW prodhon prej vitesh si vetura ashtu edhe motorçikleta. Edhe pse më parë janë bërë përpjekje për kryqëzimin e tyre, CLEVER është konceptuar si një lloj i veçantë.//kh//

XS
SM
MD
LG