Lidhje

Shqipëri-OSBE: Ndërkombëtarët përpiqen për kapërcimin e ngërçit


Çështja e misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit dhe kundërshtimi i drejtueses së këtij misioni ambasadores Audry Glover nga qeveria, ka bërë që përfaqësuesit ndërkombëtarë të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e ngërcit të krijuar.

Përfaqësuesit e Trojkës europiane, ambasadorja çeke në Tiranë, vendi i së cilës ka presidencën e radhës së Bashkimit europian, ambasadorja e Suedisë si vendi që do të ketë këtë presidencë në gjysmën e dytë të vitit, dhe një përfaqësues i delegacionit të Komisionit Europian ishin sot në zyrën e kryeministrit Sali Berisha për të diskutuar rreth problemit të lindur, dhe për të ushtruar në një farë mënyre trysni që qeveria të tërhiqet nga pozicioni i saj.

Takimi ka zgjatur më pak se një orë dhe sipas burimeve të Zërit të Amerikës kryeministri ka përsëritur qëndrimin kundërshtues ndaj emërimit të ambasadores Glover me argumentat se raporti për zgjedhjet problematike të 1996, kur ambasadorja Glover ishte drejtuese e Odihr-it, nuk ka qenë plotësisht realist. Megjithatë, kryeministri mësohet të mos ketë përdorur terma të një refuzimi kategorik. Sidoqoftë ende nuk mund të thuhet se ka ndonjë rezultat konkret.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë po ushtrojnë trysni, pasi për ata largimi i një drejtuese misioni vëzhgimi për shkak të mospëlqimit nga autoritetet do të krijonte një precedent shqetësues. Për më tepër që sikundër deklaroi edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, një një lojë arbitri nuk përcaktohet nga lojtarët, duke saktësuar se ODIHR është një institucion autonom brenda OSBE-së:

"ODIHR nuk merr udhëzime nga askush. Përsa i përket sektorit të vëzhgimit të zgjedhjeve, sepse kanë një sektor tjetër që merret me të drejtat e njeriut, ata veprojnë si në rolin e arbitrit. Arbitri asnjëherë nuk zgjidhet nga ekipet por nga organe më të larta. Kjo është një cështje që i takon ODIHR-it. Ne jemi thjesht vëzhgues të asaj që po ndodh. Por duke qenë se ODIHR bën pjesë në organizatën time unë jam mbështetës i ODIHR dhe përkrah ODIHR-it."

Për Zërin e Amerikës ambasadorja Glover tha pak ditë më parë se viti 1996 ishte pjesë e së kaluarës dhe se ajo do të bënte punë e saj sic duhet duke lënë që të jenë faktet ato që do të flasin.

Drejtuesja e misionit të vëzhguesve ka thuajse një javë në Tiranë dhe ende ajo nuk është pritur nga autoritetet. Madje edhe një takim i parashikuar sot me komisionin qëndror të zgjedhjeve u anullua.

Ambasadorja Glover megjithatë ka nisur takime me përfaqësuesë politikë. Pasdite ajo bisedoi me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, ku ajo u njoh me shqetësimet që opozita ka ngritur për procesin zgjedhor./lk

XS
SM
MD
LG