Lidhje

ODIHR-i kundër kërkesës për zëvendësimin e kryetares Glover



Zëri i Amerikës: A jeni të përgatitur të ndryshoni kryetaren e misionit të vëzhguesve në Shqipëri?

Jens-Hagen Eschenbesher: Është detyra e ODIHR-it që të zgjedhë kryetarët e misioneve vëzhguese. Ne zhvilluam një proces të hapur përzgjedhës për postin në Shqipëri dhe ambasadorja Audrey Glover u caktua për këtë rol bazuar në përvojën e saj të shkëlqyer me vëzhgimin e zgjedhjeve. Ajo ka kryesuar misione të shumta vëzhgimi zgjedhjesh në vendet e ndryshme të OSBE-së dhe së fundi kryesoi misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka asnjë arësye përse të tërheqim ambasadoren Glover, pasi ajo është personi më i mirë për të bërë këtë punë. Ne shpresojmë gjithsesi se misioni ynë që ka shkuar në Shqipëri që javën e kaluar do të jetë në gjendje të kryejë detyrat e tij në përputhje me mandatin e tij. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve t’u japin vëzhguesve gjithë informacionin që u duhet për të arritur në një vlerësim të gjithanshëm dhe objektiv të zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: A mendoni se në se nuk arrihet ndonjë kompromis me autoritetet shqiptare, raporti i ODOHR-it për zgjedhjet në Shqipëri mund të perceptohet si jo plotësisht objektiv për shkak të situatës së krijuar?

Jens-Hagen Eschenbesher: Jo. Vëzhgimin e zgjedhjeve ne e bëjmë sipas mandatit të hartuar nga vendet anëtare të OSBE-së, në bazë të një metodologjie tashmë të provuar mirë e të përdorur në shumë vende, për shumë vite. Kjo medotë do të përdoret edhe në Shqipëri. Pra nuk duhet të ketë asnjë dyshim se vlerësimet tona nuk do të jenë objektive. Disa herë ndodh që qeveritë ose opozita, nuk i pëlqejnë vlerësimet tona, por nuk bëhet fjalë që ne të mbajmë anë në punën tonë.

Zëri i Amerikës: Sot është zhvilluar një takim në Tiranë në zyrën e kryeminsitrit me trojkën evropiane mbi çështjen e misionit vëzhgues. A keni ndonjë informacion për të?

Jens-Hagen Eschenbesher: Jo nuk kam ndonjë informacion për rezultatin e këtij takimi.

Zëri i Amerikës: A po bëhen negociata me palën shqipëtare?

Jens-Hagen Eschenbesher: Nuk jam në dijeni të ndonjë negociate. Qëndrimi ynë është i qartë, ne kemi një mision në atë vend. Mandati ynë është të vëzhgojmë zgjedhjet dhe këtë do ta bëjmë sipas mandatin tonë dhe personelit që kemi zgjedhur për këtë punë. Është përgjegjësia jonë ta bëjmë këtë dhe është përgjegjësia e qeverisë të organizojë zgjedhjet në përputhje me standartet demokratike.

Zëri i Amerikës: A mendoni se puna e misionit do të pengohet për shkak të situatës së krijuar?

Jens-Hagen Eschenbesher: Ne pa dyshim besojmë se nuk do të pengohet, se misioni ynë do të jetë në gjendje të bëjë punën e tij, se do të jetë në gjendje të takojë të gjithë faktorët pjesëmarrës në zgjedhje. E përsëris që është në interes të të gjithëve që t’i krijojnë këto kushte misionit tonë, që ne të jemi në gjendje të flasim me këdo që është i përfshirë në zgjedhje dhe të dëgjojmë mendimet e tyre që të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm e objektiv.

Zëri i Amerikës: Por këtu lind problemi, se një nga faktorët kryesorë nuk po pranon të takohet me misionin tuaj, si mund ta kapërceni jui këtë pengesë?

Jens-Hagen Eschenbesher: Sërish ne shpresojmë të takohemi me këdo, por në se nuk do të arrijmë, atëhere ashtu qoftë. E rëndësishme është që ne të jemi në gjendje të flasim me të gjithë aktorët e zgjedhjeve, dhe ende shpresojmë që kjo do të tjetë e mundur.

Zëri i Amerikës: Ku e besoni optimizmin. A mendoni se një kompromis është i mundur me strukturën e tanishme të misionit tuaj në Shqipëri? Me kryetaren e tanishme të misionit?

Jens-Hagen Eschenbesher: Pa dyshim ne shpresojmë që kryetarja e misionit dhe vetë misioni do të gjejnë kushtet e duhura për të kryer punën. Çdo qeveri në zonën e OSBE-së, ka shprehur angazhim për të ftuar misione vëzhguese dhe duhet të krijojë kushtet që ato të bëjnë punën e tyre.

XS
SM
MD
LG