Lidhje

Hollbruk i kërkon Kongresit që të miratojë ndihmë për Pakistanin


I dërguari i posaçëm i presidentit Barak Obama për Afganistanin dhe Pakistanin mbroi shtimin e trupave amerikane në Afganistan, por pranoi se kjo do të bënte që talibanët dhe anëtarët e organizatës Al-Qaida të depërtonin edhe më thellë në territorin pakistanez. Ambasadori Riçard Hollbruk i bëri këto komente gjatë një dëshmie dje në Kongres, ku i bëri thirrje ligjvënësve të miratonte ndihmën amerikane për Pakistanin.

Duke folur para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, Ambasadori Hollbruk tha se vendimi i zotit Obama për të dërguar 21 mijë trupa shtesë në Afganistan do të fuqizonte përpjekjet amerikane në luftën atje. Por, zoti Hollbruk pranoi gjatë seancës se shtimi i trupave amerikane mund të bënte që talibanët dhe luftëtarët e Al Kaedës të depërtojnë edhe më thellë në territorin pakistanez.

Zoti Hollbruk tha se Shtetet e Bashkuara po e nxisin Pakistanin të dërgojë më shumë trupa në kufirin perëndimor.

"Shpresojmë se pala pakistaneze do të dërgojë më shumë trupa në pjesën perëndimore dhe do të përmirësojë stërvitjen e trupave kufitare. Jemi gati t’i ndihmojmë ata për këto çështje dhe diçka e tillë duhet bërë patjetër”.

Ambasadori i bëri thirrje ligjvënësve të miratonin një ligj të hartuar nga kryesuesi i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, senatori Xhon Kerri dhe kryerepublikani në këtë Komision, senatori Riçard Lugar sipas të cilit ndihma joushtarake për Pakistanin duhet të trefishohet gjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Zoti Hollbruk tha se demokracia e brishtë e Pakistanit ka nevojë për para për të ndërtuar rrugë, përmirësuar kujdesin shëndetësor publik dhe për të luftuar varfërinë dhe bëri thirrje për miratimin e menjëhershëm të ligjit. Siç tha zoti Hollbruk, armiqtë amerikanë do të përfitonin nga çdo vonesë në hartimin e këtij ligji.

Por ligjvënësit nga të dyja partitë politike kërkuan më shumë përgjegjshmëri mbi atë se si do të shpenzohen ndihmat amerikane. Ata thanë se më shumë se 12 miliardë dollarët e shpenzuara për Pakistanin nga administrata e mëparshme nuk kanë sjellë shumë rezultate. Kjo çështje u theksua edhe nga senatori Robert Menendez, demokrat nga shteti i Nju Xhërsit.

"Unë nuk mund të firmos çdo kërkesë tuajën. Këtë gjë e kam thënë edhe në seancat gjatë administratës së mëparshme dhe besoj se duhet të bëj të njëjtën gjë edhe në këtë rast. Nuk më duket se situata e krijuar në rajon më siguron se gjërat po shkojnë mirë”.

Zoti Hollbruk tha se gati e gjithë ndihma e mëparshme për Pakistanin i ka shkuar ushtrisë pakistaneze. Ai tha se ligji aktual vë rregull mbi politikat e mëparshme të cilat përqendroheshin së tepërmi tek ndihma ushtarake për Islamabadin.

Ambasadori tha se administrata e presidentit Obama do të vendosë një sërë standartesh për të matur përparimin e bërë pasi të jetë miratuar paketa financiare e ndihmave për Pakistanin.//kk//

XS
SM
MD
LG