Lidhje

Energjia gjeotermike në ndihmë të mjedisit


Prej shekujsh, njerëzit anembanë botës kanë përdorur ngrohtësinë e Tokës për gjëra të ndryshme. Por, ky burim energjie është gjetur gjithnjë vetëm në zonat që kanë ngrohje të mjaftueshme nëntokësore. Ndërsa zyrtarët amerikanë po nxisin zhvillimin e teknologjive ambjentaliste, industria e energjisë po krijon mënyra të reja për marrjen e energjisë nga Toka.

Prej kohërash një banjë engrohtë në burime termale ka qenë një nga kënaqësitë më të mëdha. Burimi termal në ishullin jugor japonez të Beputit u zbulua në shekullin e tetë.

Tanimë, shekuj më pas, një kompani në qytetin e Termos në shtetin Utas shpreson të prodhojë forma ambjentaliste të energjisë duke marrë nxehtësi nga avulli.

Energjia gjeotermike prodhon rreth 1 % të elektricitetit në Amerikë kryesisht pasi nxehtësia nëntokësore gjendet vetëm në zonat ku gjenden vullkane aktive apo ku dikur kanë ekzistuar këto vullkane.

Por Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, një ndër universitetet më me emër në Amerikë për shkencë dhe teknologji, si dhe Departamenti i Energjetikës, kanë arritur në përfundimin se nxehtësia e tokës mund të shërbejë si një kontribues i vyer në përmbushjen e nevojave energjetike. Kreg Higinson është drejtor i kompanisë “Raser Technologies”.

"Tanimë ne mund të mbulojmë një të tretën e nevojave tona energjetike vetëm me burimet dhe teknologjinë që zotërojmë”.

Historikisht, centralet e prodhimit të energjisë gjeotermike si ky në Kaliforni kanë nevojë për investime të mëdha që marrin nga 5 deri në 8 vjet kohë dhe funksionojnë vetëm me ujë në temperatura të larta.

Por në ditët tona, siç shpjegon zoti Higinson dhe ekipi i tij, thonë se ky central 10 megavatësh në Uta funksionon me ujë shumë më të ftohtë. Uji përdoret për të nxehur një tjetër substancë të lëngshme që ka një pikë më të ulët vlimi, për prodhimin e energjisë. Departamenti i Energjisë thotë se sisteme të tilla me dy cikle mund të shndërrohen në burime të zakonshme energjie:

“Kjo ka ndryshuar ndjeshëm dinamikën e energjisë gjeotermike”.

Sistemi funksionon në këtë mënyrë: uji nëntokësor transferohet nga një pus në këtë pajisje, ku ngroh një aparat që krijon avull, i cili më pas vë në lëvizje turbinën që prodhon energji. Sipas zotit Higinson, kjo ka edhe një tjetër anë pozitive:

“Nuk e marrim ujin nga toka. Thjesht e nxjerrim, e kalojmë nëpër sistem dhe e derdhim prap në tokë.”

Centrali gjeotermik “Raser Technology” dhe 50 njësitë e prodhimit të energjisë u ndërtuan brenda një viti dhe po furnizojnë me energji rreth 15 mijë shtëpi në qytetin Anaheimit të Kalifornisë.

Por një ekspert vë në dukje vështirësitë që ka ndeshur kjo industri, si për shembull koston e lartë për shpim krahasuar me puset e naftës dhe gazit.

Gjeologu Kermit Uidhërbi drejton programet gjeotermike në Departamentin e Parqeve dhe Mjedisit:

"Energjia gjeotermike ka qenë dhe mbetet një proces industrial me kosto të lartë prodhimi”.

Teknologjia e re mund të ofrojë një alternativë më të leverdisshme. Gjeologu Uidherbi flet për sistemin modular:

“Vetë teknologjia është avantazh, pasi mund të punosh për një projekt që kërkon hapjen e një pusi për shitje energjie. Ndërkohë që prodhon energji, e shet dhe nxjerr fitime, mund të vazhdosh ta zhvillosh më tej projektin.”

Studimi i qeverisë e cilëson energjinë gjeotermike si një nga burimet më të besueshme të energjisë së ripërtërishme. Nxehtësia e Tokës mund të merret gjatë gjithë kohës pavarësisht nga kushtet atmosferike. Shtetet e Bashkuara prodhojnë më shumë energji gjeotermike se çdo vend tjetër dhe shkencëtarët thonë se ekziston mundësia për ta rritur shumë më tepër këtë prodhim.

Raser Technology ka plane për të hapur 9 centrale të tjera. Një shoqatë që përfaqëson këtë industri thotë se në 12 shtete të ndryshme amerikane ka 125 projekte për shfrytëzimin e energjisë gjeotermike. //ad//

XS
SM
MD
LG