Lidhje

Ish-agjenti i FBI-së:Taktikat e marrjes në pyetje të paefektshme


Një ish agjent i FBI-së që thotë se ka qënë dëshmitar i marrjes në pyetje të një prej të dyshuarve kryesor terrorist nga operativët e CIA-s, i quajti këto masa të paefektshme. Ai dëshmoi dje në një seancë të senatit amerikan gjatë së cilës u parashtruan argumenta ligjore nëse teknika të tilla të ashpra ishin të ligjshme. Dëshmia e tij ishte e fundit në debatin në rritje nëse zyrtarët e administratës Bush që autorizuan veprime të tilla duhet të mbahen përgjegjës.

Duke folur prapa një ndarjeje për të mbrojtur identitetin e tij, ish agjenti i FBI-së Ali Soufan i tha ligjvënësve në senat se teknikat e ashpra të përdorura nga agjentët e CIAs mbi operativin e al-Kaidës Abu Zubaydah bënë që ai të ndalonte bashkëpunimin.

"Këto teknika nga pikëpamja funksionale janë të ngadalta, joefektive, të pabesueshme dhe të dëmshme për përpjekjet tona për të mposhtur al-Kaidën."

Zoti Soufan thotë se siguroi informacion të rëndësishëm nga Zubaydah gjatë orës së parë të marrjes në pyejtje duke përdorur një teknikë jo kërcënuese.

Informacioni tha ai, përfshinte detaje rreth organizatorit kryesor të sulmeve të 11 shtatorit, 2001 Khalid Sheikh Mohammed. Por kur hetuesit e CIAs vazhduan marrjen në pyetje, Zubaydah nuk foli më, tha agjenti. Ai tha se operativët e al-Kaidës janë të stërvitur të durojnë teknika edhe më të vështira sesa mbytja e stimuluar apo pagjumësia.

"Pritja prej 180 orësh si pjesë e teknikave të pagjumësisë është kohë që nuk mund ta humbasim në një skenar urgjent."

Disa javë më parë, presidenti Obama publikoi katër memorandume të departamentit të drejtësisë në kohën e administratës Bush. Memorandumet autorizonin teknikat të ashpra të marrjes në pyetje. Sipas memorandumeve, Khalid Sheikh Mohammed i përjetoi këto teknika 183 herë dhe Abu Zubaydah të paktën 83 herë.

Ekspertët në seancë dhanë pikëpamje krejt të ndryshme lidhur me faktin nëse avokatët e Departamentit të Drejtësisë në atë kohë vepruan në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Profesori i drejtësisë në Universitetin Georgetown David Luban i quajti memorandumet shkelje të rëndë të etikës.

"Memorandumet kanë zgjedhur pjesë të ligjit që mbështesin konkluzionin e tyre dhe lënë jashtë ato pjesë të ligjit që bien ndesh me to."

Por Robert Turner nga Universiteti i Virxhinias mbrojti avokatët e administratës Bush.

"Unë vazhdoj të besoj se njerëzit që morrën këto vendime tragjike ishin të ndershëm dhe të aftë."

Ndërkohë, ish nënpresidenti Dick Cheney thotë se teknikat nxorrën informacione të vlefshme.

"Nuk kam asnjë pendesë. Mendoj se ishte absolutisht një gjë e drejtë. Kam besim absolut se shpëtuam mijëra, ndoshta qindra mijëra jetë njerëzish."

Në një seri intervistash për median, zoti Cheney i ka bërë thirrje administratës Obama të publikojë ato dokumente sekrete, që ai thotë se provojnë pretendimet e tij. //ad//

XS
SM
MD
LG